Koreja e Veriut "ndërron mendje" me Shtetet e Bashkuara

550

Zyrtarët e Koresë së Jugut thonë se Koreja e Veriut është e hapur për bisedime me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht njoftimeve të fundit luftarake nga Pheniani.
Zyra e presidentit koreano-jugore tha se komentet u bënë në një takim mes presidentit Moon Jae dhe delegacionit të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore dhe se të dyja palët ranë dakord që marrëdhëniet ndër-koreane dhe marrëdhëniet e Koresë së Veriut me Shtetet e Bashkuara duhet të zhvillohen paralelisht.
Më parë në një deklaratë nga agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA thuhej se sanksionet e fundit të Shteteve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut përbëjnë një ‘akt lufte’.
Deklarata akuzon Shtetet e Bashkuara për ngritjen e tensioneve në gadishullin Korean dhe vuri në dukje se Pheniani zotëron armë bërthamore për të përballuar kërcënimet e Uashingtonit.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten ato që i quajti sanksionet “më të mëdha ndonjëherë” ndaj Koresë së Veriut dhe kërcënoi një “fazë të dytë” nëse masat nuk janë efektive.
Sanksionet janë vendosur kundër një person, 27 kompanive dhe 28 anijeve të regjistruara në Kinë dhe shtatë vende të tjera me qëllim të eliminimit të tregtisë së paligjshme të Koresë së Veriut. Ato bllokojnë asetet e mbajtura nga kompanitë në Shtetet e Bashkuara dhe i ndalojnë qytetarët amerikanë të bashkëveprojnë me ta.
Që nga gushti i vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar në vendosjen e tre seri sanksionesh nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Presioni nuk e ka ndalur Phenianin të kryejë prova të tjera bërthamore dhe me raketa.