Merren peng katër turistë në Durrës

210

Katër shqiptarë nga Kosova, që erdhën për të pushuar në Durrës denoncuan në drejtorinë e policisë së qytetit bregdetar se u morën peng për 45 minuta me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin.

Pas denoncimit policia arrestoi Nexhmi Xhili 49 vjeç dhe Dritan Kuçaj 48 vjeç, që ishte pronari i shtëpisë, të dy banues në Durrës. Turistët deklaruan se u mbajtën peng në garazhin e shtëpisë së pushimit pas debatit për pagesën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit nga disa shtetas kosovarë, se në lagjen nr. 13, në Durrës, dy shtetas u kishin hequr lirinë atyre, në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit Nexhmi Xhili 49 vjeç dhe Dritan Kuçaj 48 vjeç, të dy banues në Durrës. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit D. K., me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin”.

Njoftimi i Policisë së Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.