900 mijë € mashtrim, arrestohet ish bashkëshortja e Bojken Lakos

6697

Olesia Duka, ish-bashkëshortja e kantautorit Bojken Lako, është vënë në prangat e policisë, pasi akuzohet për mashtrim me vlera të mëdha financiare, që arrijnë deri në 900 mijë euro.
Prokuroria e Durrësit ka zbuluar skemën e mashtrimit të stomatologes 38-vjeçare, e cila iu merrte para qytetarëve të ndryshëm, duke i gënjyer se kishte tetë klinika dentare dhe duhet të blinte aparatura e pajisje, ndërkohë që nuk i kthente më shumat e marra. Një prej ‘viktimave’, që kishte rënë pre e mashtrimit dhe që e kishte pësuar më shumë, ishte biznesmeni I. H., i cili ka bërë dhe denoncimin. 
Nisur nga dëmi i madh i shkaktuar, Gjykata ka vendosur sekuestro preventive për pesë pasuri të 38-vjeçares dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi treqind mijë Euro. Burime të Report Tv bënë me dije se janë sekuestruar katër apartamente në Tiranë dhe një në Durrës, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e Olesia Dukës.
Skema e mashtrimit:
Olesia Duka mashtronte persona të ndryshëm, duke iu marrë shuma të mëdha parash. Ajo mashtronte qytetarët, duke iu thënë se kishte 8 klinika dentare dhe se i duheshin paratë për të blerë aparatura apo materiale të linjës. Pasi i merrte paratë, ajo nuk i kthente më, ku vlera e mashtrimit arrin deri në 900 mijë euro.  
Burime të Report Tv bënë me dije se stomatologia kishte në fakt vetëm një klinikë në Tiranë. Personi që e ka pësuar më shumë nga mashtrimet dhe dredhitë e 39-vjeçares ka qenë biznesmeni I. H., i cili ka bërë edhe denoncimin. 
Burimet nga Prokuroria thanë për Report Tv se stomatologia Duka ishte një person i njohur, pasi kishte marrë pjesë në disa fondacione bamirësie dhe klinika e saj në kryeqytet është ndër më të njohurat, dhe kështu ajo përdorte famën, duke krijuar lidhje me biznesmenë dhe persona të ndryshëm, të cilët më pas i mashtronte.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Durrësit:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë mundësoi zbulimin e një vepre penale të një shtetasje për mashtrim me vlera të mëdha financiare, deri në 900 mijë euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në 26 janar 2018 ka filluar procedimin penal nr. 143/2018, për veprën penale “Mashtrimi”, te parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal në ngarkim të shtetases O.D. banuese në Tiranë në dëm të shtetasit paditës I.H.
Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autori i veprës penale O.D. (madhor) është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, i cili me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H.që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.
Autori i veprës penale vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes se shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë. Për këto arsye nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është caktuar masa e sigurimit arrest ne burg për shtetasen O.D. e datëlindjes 26.09.1980, me banim në Tiranë.
Nisur nga dëmi i madh i shkaktuari të dëmtuarit nga vepra penale, nga ana e Gjykatës është vendosur sekuestroja preventive për pesë pasuri të autorit dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi treqind mijë Euro. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e autorit të veprës penale