Policia e Shtetit ka publikuar momentet nga arrestimi i bandës së kokainës në Shkodër, operacion që konkludio me kapjen e 7 personave. Në kuadër të aksionit ‘Forca e ligjit’ bandës iu sekuestruar 2.2 kg kokainë.
NJOFTIMI I POLICISE
Pas tre muajsh punë intensive përmes metodave speciale të hetimit, kurorëzohet me sukses goditja e dytë në Shkodër, në kuadrin e Operacionit “Forca e Ligjit”, ku u godit një grup kriminal me veprimtari në fushën e mbajtjes dhe shitjes të drograve të forta.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, dhe Forcën Operacionale në Policinë e Shtetit kanë goditur në orët e fundit Grupin kriminal “KOKAINA”.
Ky operacion u finalizua me sukses pas një hetimi 3 mujor me aplikimin e metodave speciale të hetimit.
Në këtë kuadër janë arrestuar, 7 shtetas të dyshuar si anëtarë të këtij Grupi kriminal, e konkretisht:
1. Helidon Marku, 42 vjec, banues në Shkodër, person i dënuar disa herë për vepra të rënda penale.
2. Indrit Tagani, 30 vjec,banues në Shkodër.
3. Erjon Zekaj, 31 vjeç, banues Koplik i Sipërm, Malësia e Madhe.
4. Saimir Arçi, 31 vjeç, banues në Shkodër.
5. Aldo Vruçaj, 28 vjeç, banues në Shkodër.
6. Kristjan Ujkaj, 31 vjeç, banues në Shkodër.
7. Aleksandër Matoja, 31 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithshtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit H.K, 26 vjeç, banues në Shkodër.
Goditja e këtij grupi kriminal u realizua pas një punë të mirëfilltë hetimore me metoda speciale të hetimit të përdorura nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, Oficerëve të Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjthshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
Në vijim të këtyre hetimeve është provuar se shtetasi Helidon Marku është menaxher i një lokali nate në Shkodër dhe në bashkëpunim me shtetasit Kristjan Ujka, Saimir Arçi, Erjon Zekaj Aldo Vruçaj, Indrit Tagani, Aleksandër Matoja, si dhe me shtetasin H. K të shpallur në kërkim, kanë zhvilluar prej kohësh aktivitetin kriminal të mbajtje, shitje të drograve të forta kokainë dhe heroinë, duke ua shitur klientëve brenda ambjenteve të këtij lokali.
Në cilësine e provave materiale janë sekuestruar:
• 2 kilogramë e 237.6 gramë lënde narkotike e dyshuar Kokainë.
• 3 automjete të tipeve Audi Q5, Ford “Fiesta” dhe BMW.
• 10 telefona celulare të markave te ndryshme.
• 489.000 leke , 635 Dollare dhe 280 Euro,
Gjithashtu është vënë nën sekuestër Lokal ”SAMPA” në ambjentet e të cilit zhvillohej ky aktivitet kriminal. Materialet proçeduriale do ti kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit, mbajtjes e shitjes së narkotikëve” e përshtatje e lokalit për përdorim droge, kryer në bashkëpunim e parashikuar nga nenit 283/2, neni 285/a e 25 të Kodit Penal. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon punën intensive në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” për realizimin e plotë të objektivit për shkatërrimin e të gjitha grupeve të skeduara kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të tyre financiare.