Kur Sigurimi i Shtetit merrej me shkencë

580

Sa ka ndikuar komunizmi në kërkimin shkencor, në qasjet e intelektualëve dhe akademikëve që hulumtonin në Shqipërinë e asaj kohe? Përgjigjen për disa nga personalitetet më me emër e jep studimi i fundit I historianëve shqiptarë e zviceranë që kanë kërkuar mes arkivave.

Ishte një kohë kur sigurimi merrej me shkencën, me Sabiha Kasimatin, me Eqerem Çabej e me Arshi Pipën. Dikush u pushkatua në mesnatë, një tjetër u dënua pa gjyq, ndërsa të tjerë heshtën dhe nuk provuan kurrë se mund të kontribuonin në Shqipërinë e atyre viteve.

Studiuesja Sonila Boçi
Një studim për ndërhyrjen e ideologjisë komuniste në kërkimet shkencore të atyre që mund të quheshin akademikët e asaj kohe, është tanimë në dorën e publikut.

Për këtë publikim të Autoritetit të dosjeve për krimet e komunizmit kanë punuar historianë shqiptarë e zviceranë. Të vërtetat e tyre të provuara përmes dokumentesh të deklasifikuara vijnë përmes shkrimeve të Fatmira Nikollit.

Fatmira Nikolli
“Fokusi i shkrimeve të shkurtra ka qenë të rrëfyerit e jetës së tyre, vështirësive dhe presioneve gjatë regjimit, por e treguar me një gjuhe të thjeshtë dhe të kuptueshme për brezat e ndryshëm”, sqaron Nikolli.

Këto histori janë të parat që do të publikohen tanimë në një platformë online.

Portali http://www.dosjet.gov.al/ është nga sot aktiv për gjithë publikun që dëshiron të informohet për historitë shqiptare, kur sigurimi merrej me shkencën.