Historia e biçikletës në Shqipëri

221

Nëse ka një qytet që lidhet me historinë e biçikletave në Shqipëri, ky qytet është Shkodra. Prandaj, nëse flasim për historinë e biçikletave të para në vendin tonë, kjo histori duhet të nisë nga qyteti në veriperëndim, që shtrihet në ultësirë, e ndoshta, kjo shtrirje gjeografike ka ndikuar edhe më shumë që biçikleta, pasi hyri për herë të parë, të gjejë shtëpinë e saj në Shkodër.

Po si nisi historia? Kur u shfaq biçikleta e parë dhe kush i kish hipur asaj gjëje me dy rrota?

Ishte viti 1907, më shumë se një shekull, kur në Shkodër u pa të lëvizte rrugëve të saj, me kalldrëm e me pluhur, një i huaj.  Ai përdorte një mjet që askush që nuk kishte dalë jashtë vendit, ta kishte parë më parë. Ky burrë ishte konsulli i nderit i Suedisë, ndaj edhe kureshtja për ta parë ishte mjaft e madhe. Dëshmitë e kohës rrëfejnë se kush e dëgjoi , u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.

Me kaq, kurioziteti u shua, po s’u shua lakmia për ta pasur. Kush ishte më i pasur dhe që kishte mundësi të dilte jashtë shtetit, e solli një të tillë. Biçikletat që nisën të hynn në Shkodër ishin të markave të ndryshme, më së shumti italiane. Por në kuadrin historik  duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë.

Kronikat e kohës dëshmojnë se fillimisht biçikleta në  Shkodër u quajt “Velisipet”, por edhe dyrrotullake.

Por Shkodra shënon edhe një rekord tjetër që lidhet me biçikletën. Gruaja e parë që nisi një biçikletë ishte sërish një grua, e kësaj radhe, vinte nga konsullata austriake. Njerëzit sërish u dyndën nëpër rrugë për ta parë atë dhe kuptuan se dyrrotaku nuk ishte pronësei vetëm e meshkujve, por se edhe femrat mund ta nisnin një të tillë.

Kështu biçikleta fitoi qytetarinë e saj. Është fakt interesant se në vitin 1915, policia e qytetit  u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkruar rrugët me biçikleta.

Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë, në vitin 1920 vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. Ndaj dhe në vazhdimësi Shkodra ia ka dhënë tonin këtij sporti, aq sa jo vetëm të rriturit, por nuk ka fëmijë që të mos dijë të ngasë biçikletën.

Duke pasur parasysh se shtëpitë shkodrane ishin një dhe dykatëshe dhe se shumica prej tyre kishin oborre për t’i mbajtur, duke pasur parasysh edhe faktin se Skodra është një qytet që pozicionohet në ultësirë dhe të jep mundësi pedalimi të mirë, nga viti në vit numri i biçikletave erdhi duke u shtuar.  

Pas çilirimit të vendit, zhvillimi i Shkodrës, krijimi i një zone industriale jashtë vijës së verdhë të qytetit, e bëri biçikletën një mjet pune të domosdoshëm, jo vetëm për burrat, por edhe për vajzat e për gratë. Biçikleta qe zgjidhja e vetme për të përshkruar në mungesë të makinës, 12 km gjatësi dhe 6 km gjërësi qytet, për të shkuar në punë, për të bërë shëtitje buzë liqenit, për të shkuar në periferi, për të dalë në Pjacë, apo për të takuar miq. Kërkesa për biçkleta po rritej dhe nuk po përballohej dot. Çdo shtëpi kishte dy ose tre të tilla.  Kërkesat në rritje shtuan importin e tyre, fillimisht nga vendet e Lindjes e më pas nga Kina. Me biçikleta dilnin në punë mjekët e mësuesit, mjeshtrit e çirakët, inxhinierët e artistët, nëpunësit e ushtarakët, etj.

Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra rreth 60 000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10 000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës.

Shkodra ka disa rekorda sa i takon biçikletës, psh biçikleta e parë dyshe hyri në Shkodër, sikundër pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre.

Pas ndryshimeve të vitit 1991, me mbylljen e shumë ndërmarrjeve dhe hyrjen e makinave private, duket sikur ra edhe numri i madh i përdorimit të biçikletave. E nëse deri dje qyteti ecte plotësisht mbi dy rrota, sot ai ndoshta në të njëjtat raporte ecën mbi katër rrota, mbi makina të markave të ndryshme, por prapseprap  askush nuk ka mundur t’ia heqë nga koka kurorën e kampiones së biçikletave.  Pasi përditë me mijëra të tilla qarkullojnë rrugëve të qytetit.

Nuk është rastësi që në një studim europian të vitit 2011 Shkodra përmendet si qytet rekord në Shqipëri, madje në Europën Juglindore dhe atë Qendrore, me një përqindjeje të lartë pedalimi prej 29%.

Ajo renditet mes qyteteve europiane të njohura për kulturën e lartë pedaluese, të tilla si: Bolzano, Ferrara, Fraiburg, qytetet e Vendeve të Ulëta dhe Vendeve Skandinave.

Sot qyteti me traditën më të herëshme në Shqipëri në përdorimin e biçiletave, i ka kushtuar një ditë të veçantë festive këtij mjeti, që vazhdon të përdoret edhe sot e kësaj dite nga rreth 30 përqind e banorëve, ç’ka e rendit atë në qytetin e pestë në Europë përnga përdorimi i biçikletave, gjithnjë në raport me numrin e banorëve.

Si pjesë e traditës, vazhdimisht në këtë qytet organizohen shëtitje kolektive me biçikleta në vendet piktoreske të qytetit dhe në zonatrreth tij. Bashkia Shkodër është përfshirë në mënyrë aktive në promovimin dhe mbrojtjen e kësaj kulture dhe tradite duke dhënë ndihmesën e saj.

Përgatiti: Neritana Kraja