Lindja nuk është një garë, askush s’është më shumë nënë se një tjetër

213

Përvoja jote e lindjes do të lërë gjurmën e saj në shpirt, për gjithë pjesën tjetër të mbetur të jetës. Mënyra sesi ti lind, si e sjell në jetë fëmijën tënd, nuk të përcakton ty si nënë, si grua. Nuk është tregues sesa trime je, sesa e fortë je, ti tashmë e ke vërtetuar gjithë këtë duke sjellë një krijesë në jetë.

Nuk ka një mënyrë lindjeje unike që të jetë e përsosura dhe e duhura për të gjitha ne gratë. Mos ndjeni nevojën të justifikoheni, nëse lindja nuk shkoi ashtu siç e kishit menduar, ashtu siç e prisnin të tjerët.

Një përvojë pozitive e lindjes nuk lidhet gjithmonë me mënyrën se si ke lindur, lidhet me atë se si ke qenë në kontroll të vendimeve të tua, si je ndjerë dhe si të kanë bërë të ndihesh.

Lindja në shtëpi, lindja në spital, lindja me operacion, lindja e lirë, lindja me mjekim, lindja pa ndërmjetësim, lindja pa ndihmë.., çdo grua ka lindjen e saj .. foshnjën e saj.

Lindja nuk është një betejë ku duhet të dëshmosh gjithçka, ti tashmë e ke vërtetuar se je në gjendje të krijosh një mrekulli. Dikush nuk është më shumë nënë se ka bërë lindje në mënyrë vaginale, krahasuar me një tjetër që ka lindur nëpërmjet operacionit cezarian.

Dikush nuk është më e fortë se pati një lindje pa dhimbje sesa dikush që kishte shumë dhimbje. Ti nuk je nënë më e mirë nëse ke pasur një lindje pa ndërmjetësim sesa nëse ke kërkuar ndihmë shtesë dhe ke shmangur një përvojë të tmerrshme në lidhje me lindjen.

Lindja nuk ka nevojë të etiketohet. Çdo nënë duhet të fuqizohet, informohet dhe respektohet për vendimet e saj në lidhje me lindjen./Burimi “PËR NËNAT”