Çfarë mund të bëjnë bashkë të rinjtë me ideale të ndryshme politike?

388

Nga Jetmira Leka

Kur më ftuan për të qënë pjesë e një aktiviteti të organizuar nga Westminster Foundation for Democracy (WFD) e pranova me kënaqësi. Pasi u informova mbi elementët përbërëse të këtij takimi, elementi që më bëri përshtypje që në nisje ishin pjesëmarrësit. Ishte hera e parë që do isha në një takim me të rinjtë e forcave të tjera politike. Së bashku do të diskutonim rreth shqetësimeve, problemeve e prioriteteve që kanë të rinjtë në Lezhë.
Nuk kishte konflikt dhe as debat politik, por analizë për mënyrën sesi mund të ndikojnë të rinjtë për të ndryshuar situatën e tyre. Dukej si e pamundur në dukje, por tashmë ishim ulur në një tryezë dhe po diskutonim e prezantonim shqetësimet e bashkëmoshatarëve tanë. Pavarësisht se nuk kishim njohje të afërt me njëri-tjetrin, vumë re se flisnim të gjithë të njëjtën gjuhë, atë të të rinjve dhe problemeve që na prekin si çdo të ri kudo.

Duke marrë në konsideratë dhe trajtuar problemet e të rinjve në Lezhë dhe zgjidhjet e mundshme për ta, kuptuam se gjuha më e mirë për të folur është ajo e argumentit dhe jo e urrejtjes, gjuha e veprimeve dhe jo e anashkalimit, gjuha e bashkëpunimit dhe jo e ndasive. Ndërsa garonim ndërmjet nesh për të arritur objektivat, asnjëherë nuk pamë se kush ishte në krahun tonë, e kjo për sa kohë duhej arritur suksesi i përbashkët në dobi të të gjithëve.
Nevoja për terrene sportive në çdo njësi administrative, qendër për të rinjtë, më shumë mbështetje për të nxitur punësimin e tyre apo mbështetje më e madhe për studentët e ekselencës ishin disa nga kërkesat që u vendosën si shqetësime që duhet të marrin zgjidhje.

Këto janë shqetësime që kanë nevojë të marrin zë e të diskutohen në tryezat e ndryshme vendimmarrëse. Këshilli Bashkiak, Drejtoria e Arsimit, Sportit e Rinisë, Drejtoria e Integrimit apo vetë Kryetari i Bashkisë do të jenë referim që këto kërkesa apo shqetësime të shkojnë për të marrë zgjidhje. Kjo do të kërkojë sinergji pozitive të të gjithë grupit apo të tjerë mbështetësve tanë që të jemi më të unifikuar që shqetësimet e adresuara të futen në agjendën e zgjidhjeve dhe të financohen. Kjo do të sjellë vetëndërgjegjësim të grupeve të të rinjve edhe brenda subjekteve partiake për të kërkuar më tepër prezencë në vendimmarrjet e ndryshme politike.

Të rinjtë duhet të jenë pjesë e rëndësishme e strategjive politike dhe më pas në zbatimin e tyre. Kjo nuk duhet të mbetet gjithmonë në nivel diskutimi por duhet të udhëheqin angazhimin tonë edhe politik.

Prioriteti ynë ishte krijimi i një qendre multi-funksionale si një hapësirë dedikuar të rinjve me qëllim realizimin e aktiviteteve të ndryshme, një vend ku të gjithë të bashkohemi dhe adresojmë nevojat tona e të na krijojë mundësinë e zhvillimit të aftësive sociale, drejtuese, menaxhuese, kulturore, artistike e sportive. Një vend ku ne të rinjtë e qarkut Lezhë të bashkëpunojmë, të rritemi së bashku e të mendojmë për të ardhmen tonë. Realizimi i këtij prioriteti do na ofronte shumë benefite dhe mundësi për t’u bërë bashkë në tryeza bisedimesh e për vendosur një zëri për të ardhmen tonë.

Por lind pyetja se çfarë mund të bëjnë bashkë të rinjtë me ideale të ndryshme politike?


Nëse i referohemi ngjyrimeve politike padyshim që do kishim kundërshti dhe botëkuptime të ndryshme ndaj qasjeve tona. Por kur të rinjtë bëhen bashkë ka më shumë gjëra që na bashkojnë se ato që “na ndajnë”. Gjatë trajnimit nga WFD, krijuam një klimë të ngrohtë ndërveprimi pavarësisht ngjyrimeve politike. Biseduam dhe u dakordësuam për çështje të interesave të përbashkëta sepse e mira jonë e përbashkët është padyshim një zë i brendshëm i gjithësecilit që na nxit për të vepruar e një zë më i fortë që duhet të dëgjohet.


Një kërkesë e përbashkët e të gjithë të rinjve drejtuar Njësisë së Qeverisjes Vendore për ngritjen dhe mirëfunksionimin e kësaj qendre do të jetë aksioni i parë, por që padiskutim do të vijojë me të tjera angazhime. Është detyrë dhe përgjegjësi e jona të mos i ndalim në asnjë moment përpjekjet për të realizuar objektivat tona. Bashkë ne mundemi të bëjmë gjëra të mëdha për të cilat një ditë mund të lëmë gjurmë e bëjmë ndryshimin.

Ne jemi e tashmja dhe e ardhmja e këtij vendi.