Mjekët e Spitalit të Traumës vijojnë ditën e dytë të protestës për për arrestimin e 2 mjekëve të QSUT Serdi Meminit, 34 vjeç, dhe Ervin Sulajt, 45 vjeç, të cilët akuzohen për korrupsion pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit Elmidin Dylit, që u plagos në masakrën e Velipojës.
Gjatë zhvillimit të protestës ditën e djeshme, mjekët thanë se arrestimi i kolegëve të tyre është i padrejtë, duke e cilësuar shkelje të integritetit për bluzat e bardha masën e sigurisë “arrest me burg”, deri në përfundimin e plotë të hetimit. Sipas tyre problem në vendin tonë është sistemi dhe se zgjidhja nuk është kjo mënyrë. Ata theksuan se duhet autonomi spitalore.
Ata kanë kërkuar që të mos trajtohen si kriminelë, pasi sipas tyre arrestimi i dy kolegëve Serdi Memini dhe Ervin Sulaj nuk zgjidh problemin e korrupsionit.
Mjekët akuzohen për korrupsion i personave që ushtrojnë funksione publike pasi i kanë marrë Fatbardh Dylit, i ati i 17-vjeçarit të plagosur, shumën prej 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro, për operimin e të birit. Gjithashtu në pranga u vu edhe Fatbardh Dyli, 40 vjeç, banues në Shkodër, i akuzuar për korrupsion pasiv.
Mjekët Sulaj dhe Memini janë lënë në burg nga gjykata. Ndalimi i tyre u bë në ambientet brenda Spitalit të Traumës, ku iu sekuestruar edhe shuma e parave që Fatbardh Dyli ua ka dhënë për kryerjen e operacionit.
