Arkës së shtetit i mungojnë 13 milionë euro

496

Arkës së shtetit i mungojnë plot 13 milionë euro nga mosrealizimi i të ardhurave për tremujorin e parë të vitit. Ecuria e dobët e mbledhjes së taksave nga tatimet dhe doganat nuk është ndalur as në mars, ku problematike veçanërisht shihet TVSH-ja. 

Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar janë 2.1 miliardë lekë më pak se parashikimi, madje në rënie krahasuar me një vit më parë. Kjo situatë vjen për shkak të ndikimit të kursit të këmbimit tek vlera e mallrave të importuara, si edhe nga rritja e shumës së TVSH-së së rimbursueshme për bizneset.

Mbushja e arkës çalon edhe në taksa të tjera në rënie apo nën pritshmëritë e Ministrisë së Financave, si tatimi mbi të ardhurat personale, sigurimet shëndetësore, taksa doganore dhe taksat e tjera kombëtare.

Sakaq, ndryshimet në paketën fiskale për uljen e tatimit të dividendit kanë ndikuar në rritjen e të ardhurave nga ky zë, ndonëse në shifra të papërfillshme për të kompensuar rënien nga taksat e tjera.

Në kontrast, bashkitë e vendit kanë një mbi realizim të planit me 35% apo 1,2 miliardë lekë më shumë. Mbledhja më e mirë e taksave lokale dhe taksës së re të pasurisë kanë ndikuar në këtë performancë pozitive.

Në kushtet e mosrealizimit të planit, qeveria ka bërë shkurtime tek investimet publike. Për periudhën janar-mars janë investuar vetëm 9 miliardë lekë, nga 11,7 miliardë lekë të planifikuara.