Tronditi kampionët e Botës, ndërron jetë mesfushori që gëzoi një kontinent të tërë

271

Bota e futbollit ende po qan vdekjen e idhullit të tij, Diego Armando Maradona,  por sot një tjetër lajm i trishtë vjen për një futbollist që, edhe pse me një rëndësi tërësisht ndryshe nga “El Pibe de Oro”, sërish ka qenë protagonist i një Botërori.  

FIFA shpërndau lajmin e hidhur të vdekjes së Papa Bouba Diop në moshën 42-vjeçare. Mesfushori i Senegalit, me një karrierë tejet dinjitoze në Zvicër, Francë dhe kryesisht në Premier League, do të kujtohet qartësisht nga tifozët gjatë Botërorit të vitit 2002 në Korenë e Jugut, ku ishte protagonist të një prej surprizave më të mëdha të atij edicioni dhe jo vetëm.

Diop shënoi golin e vetëm me të cilin Senegali mundi kampionët e botës të Francës, duke tronditur francezët dhe duke çuar në delir vendin afrikan, ish-koloni franceze.

Senegalezi do të shënonte edhe dy herë të tjerë në atë edicion, duke ndihmuar shokët në arritjen e çerekfinaleve prestigjioze. Botërori i hapi dyert e Premier League, ku ka luajtur me Fulham dhe Portsmouth me të cilin fitoi një FA Cup historike në 2008. Senegalezi kishte mbyllur karrierën në vitin 2013, dhe vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë.