Kush ishte Santiago Malko, miku i Vis Martinajt që eliminuan në Kinostudio?

355

Santiago Malko është 26-vjeçari i cili u eliminua në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në zonën e Kinostudios.

Malko ka qenë efektiv i patrullës së përgjithshme ndërsa njihet për miqësinë e tij me Ervis Martinajn, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e 4 tetorit 2018 pas një përplasjeje me armë në ish-Bllok ku mbeti i vrarë miku i tij, Fabiol Gaxha.

Malko është personi me kapele që futet në lokalin “Monopol” ku ndodhi “masakra e Bllokut” më 4 tetor 2018. Ai është fiksuar nga kamerat duke dalë i qetë nga dera pas kasaphanës që ndodhi.

Ai u shpall në kërkim, por u la i lirë më pas, pasi rezultoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Një vit ai ka qenë efektiv policie dhe më pas është përjashtuar nga radhët e policisë si i përfshirë në disa ngjarje dhe rezultonte si problematik.

Ngjarja e ndodhur në 2016

Burime zyrtare të Policisë thanë se personat e përfshirë në këtë konflikt janë dy vëllezërit Edmond e Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç dhe ish-punonjësi i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit, 23-vjeçari Santiago Malko.

Të dyja palët, edhe vëllezërit, edhe ish-polici, kanë në pronësi lokale bastesh sportive në të njëjtën zonë, por sipas policisë konflikti ka ndodhur në lokalin e Edmond Lashit. Ka qenë ish-polici Santiago Malko që ka shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe është konfrontuar fizikisht me ta.

Ndonëse fillimisht u raportua se dy vëllezërit i kishin marrë pistoletën ish-policit dhe kanë tentuar ta qëllojnë, e vërteta qëndron ndryshe.

Ish-polici ka qenë ai që ka tentuar të përdorë armën, madje duke goditur njërin prej vëllezërve me qytën e saj. Më pas dy vëllezërit kanë ndërhyrë dhe ia kanë marrë armën, duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Policia liroi dy vëllezërit dhe shoqëroi në komisariat ish-policin.