Xhubleta –Pasuria e identitetit tonë e harruar.

409

Xhubleta – Ekspozitë me simbole kulti e mitologjike të Kulturës dhe identitetit tonë kulturor kombëtar. Nuk di a do të kujtohet kush nga shtetarët tanë, që të hartohet dhe plotësohet ndonjëherë Dosja, që t’i propozohet UNESCO-s për t’u përfshirë në klasifikimin Pasuri e Njerëzimit. Në foto është një prapanik i Xhubletës së Ngushte, të trashëguar dhe punuar në breza nga gratë e Brigjeve të Drinit, zona e Pukës dhe Lekbibajve.

Prapanik quhet nga pozicioni ku mbahej në këtë Veshje, në anën e pasme të trupit, në të kundërt të Paranikut. Prapaniku i varur me një toje shumëngjyrëshe varej poshtë Kërdhokllës, edhe kjo pjesë e veshjes së Xhubletës së Ngushtë. Quhet Xhubleta e Ngushtë, sepse dallon edhe në elementët përbërës me Xhubletën e Malësisë së Madhe dhe ka disa elementë përbërës që ndryshojnë nga ajo, dhe ka edhe elementë shtesë, që Xhubleta e Malësisë së Madhe nuk i ka.

Elementët përbërës të kësaj tipologjie janë tregues edhe të dallueshëm nga forma, por edhe nga pasuria e simbolikës, tregues të vjetërsisë së saj, të mendimit se kjo, Xhubleta është veshje me origjinë rreth 4000- vjeçare, e trashëguar në zhvillim e sipër vetëm nga shqiptarët. Xhubleta në të gjitha elementët përbërës ruan dhe na shpalos elementë ornamentale kulti dhe me përmbajtje mitike nga trashëgimia jonë shpirtërore,të paraqitura grafikisht, me ngjyrime dhe elementë artistikë të përsosur. V.O; Xhubleta e ngushtë e kësaj zone është në zhdukje, ruhen ekzemplare të rrallë dhe të paktë.

Fotoja nga Jaho Brahaj: “Prapanik”, ruhet në një koleksion privat