Erjon Braçe: Hajdaraga na shpëtoi nga kurthi për të na vrarë

474

Deputeti socialist Erjon Braçe, ishte një nga kolegët më të vjetër me Luan Hajdaragën. Teksa e cilëson si shok dhe vëlla të madh, Braçe përmes një statusi ka zbuluar momentet e vështira të njohjes me ish-deputetin socialist Hajdaraga dhe se si ky i fundit i shpëtoi ata nga një kurth i ngritur në vitin ’94 nga policia e asaj kohe dhe përndjekjen prej njerëzve të SHISH.

Braçe më tej shkruan se ka qenë një kohë kur Partia Socialiste nuk ishte kjo e sotmja dhe ku burra udhëheqës i dilnin për zot gjithkujt, pavarësisht moshës, njohjes, peshës.

Postimi i Erjon Braçes

Nuk dua të të përcjell nesër Luan!

Ishte bukur me ty si shok, si mik, si vëlla i vogël.

Ka qenë një kohë kur Partia Socialiste nuk ishte kjo e sotmja;

Kohë e vështirë, betejë deri në luftë për çdo iç në territor, sup me sup me shokun, mikun, vëllain.

Burra udhëheqës që i dilnin për zot gjithkujt, pavarësisht moshës, njohjes, peshës në rastin tonë.

Luan Hajdaraga dhe unë jemi njohur në Partinë Socialiste! Jo në salla mbledhjes apo Kuvend si këtu, asfare.

Në kabinën e një Land Rover-it të bardhë, tek shinat e trenti në të dalë të Lushnjes, në një postbllok armiqësor të policisë politike, gjatë turit për Referendumin e Kushtetutës në vitin 1994.

Ndjeu kurthin, parashikoi sulmin, zbriti nga timoni shoferi i tij dhe, në në shi gurësh vrasës lëvizi makinën për të na shpëtuar jetën.

Nuk mbaroi aty. Në ato 15 kilometra në drejtim të Rrogozhinës, pas ngjitur apo duke goditur fort makinën ku ishim e me të cilën po udhëtonim, kishim policinë sekrete të kohës në sulm për të na bërë të paguanim atë të cilës i shpëtuam në postbllokun e Lushnjes, deri në fund, tek dy rrugët në hyrje të Rrogozhinës.

Ajo djathtas e poshtë, në një kthinë pusi ngritur për në errësirë. Ajo drejt e lartë, në urë, tërësisht në vijën e kundërt të kalimit, ngushtë aq sa Land Rover-i ynë u përplas, u ça majtas e djathtas, herë në makinën që erdhi përballë e herë më parmakun e betontë të urës, për për të mbetur gjallë.

Servet Pellumbi, Namik Dokle, Fehmi Abdiu, Vladimir Metani e të tjerë shokë u masakruan poshtë, ne mbetëm gjallë lart!

Na shpëtoi Luan Hajdaraga! Prej asaj dite nuk u ndamë më. Ai, Anastasi, Iliri, Thomai dhe unë.

Ishim pesë shokë, miq, bashkëpunëtor. Çdo orë, çdo ditë, kudo, për njëri tjetrin pa i ikur sfidave, betejave që herë ishin ideologjike, politike, organizative por edhe fizike me pushtetin e kohës.

Vijoi në Majin e 1996-ës, ai fort në Tiranë e unë si ai në Berat, pastaj këtu në shesh në 27-28 majin e përgjakshëm e në vijim, tetor, nëntor, dhjetor 1996, janar, shkurt e mars 1997, në rrugë, sheshe, për herë të parë për mua, bashkë në Kuvend.

Bashkë në ditëlindjet e mia, atje tëk shtëpia e vogël në Kombinat, në gazetë duke përdorur unë përvojën e folur e të shkruar të njëriut që kish parë perendimin më parë se cilido. Në gëzime të njëri-tjetrin deri tek dasma ime ku miqësa e udhëhiqte Ai, Luan Hajdaraga, si dibrani tek dibranët, por në anën tjetër të krushqve.

Kështu kemi jetuar në! Ishte kohë tjetër, e vështirë, por e bukur. Të kishe një shok, një mik, një vëlla të madh, ishte aq bukur. Nuk dua të të përcjell nesër Luan, ishte bukur me Ty si shok, si mik, si vëlla! Ne të dy jemi mësuar ndryshe. Burra si ty përcillen për në betejë, jo për tu humbur.