Kapriçot e motit, dëbora zbardh juglindjen e vendit

723

Dëbora ka përfshirë paraditen e sotme zonat malore në juglindje të vendit. Rreshjet me intensitet më të lartë kanë qënë në lartësitë mbi 1000 metra, kryesisht në fshatin turistik të Dardhës por edhe në fshatrat Sinicë, Arrzë, Nikolicë si dhe fshatrat e njësive administrative të Lekasit.

Trashësia e dëborës nga vendi i quajtur “muri i Musait” deri në Bigëll ka shkuar në 10 cm, ndërsa në fshatrat e tjerë, kjo trashësi nuk i ka kaluar 5 cm.

Debora në këtë fund të muajit mars për drejtorin rajonal të bujqësisë, Vullnet Gjolla, nuk ka shkaktuar dëme në frutikulturë përfshi këtu kumbullat, të cilat i ka zënë në lulëzim.

Për fatin e mirë sipas Gjollës, dëbora nuk është shoqëruar me temperatura të ulta ndaj dhe për këtë demet kanë qënë të papërfillshme, si në kumbullat ashtu edhe në kajsi.

Ndërsa nga ana tjetër ka ngadalësuar lulëzimin e mollëve. Gjolla thekson gjithashtu se nëse do të ketë ulje të temperaturave në orët në vijim atëhere rrezikon që të shkaktojë dëme tek drufrutorët në lulëzim.