Lamtumirë baste!

429

Jemi në ditët e fundit të vitit 2018, por janë të fundit edhe për kompanitë e basteve në vend. Nga 1 janari hyn në fuqi ligji për ndalimin e pikave të basteve dhe kazinove në qendrat e banuara.

Prej ditësh, në kryeqytet, por dhe në rrethe ka nisur mbyllja e pikave të basteve, ndërsa kur jemi dy ditë larg hyrjes në fuqi të ligjit, ka reaguar edhe Kryeministri Rama me anë të një postimi në “Facebook”.

“Lamtumirë”, shkruan Rama, ndërsa bashkëngjitur ka postuar edhe një foto të një pike bastesh, të cilës po i hiqej reklama e kompanisë.

Ndërkohë, në rrugët e Tiranës gjen lehtësisht komente pozitive për mbylljen e pikave të basteve.

“Një vendim shumë i drejtë, është një plagë sociale për mendimin tim, kështu që e përkrah maksimalisht”, thotë një qytetar.

Megjithatë, vesi thonë që del me shpirtin dhe kush do të kërkojë adrenalinën e kumarit, është i qartë se do ta gjejë, në një mënyre apo tjetër.

“Nuk jemi akoma gati për këtë. Unë jam një nga ata që jam i thekur për loto, por nuk është problemi tek unë, sepse unë e gjej mënyrën se si luaj sepse kam 15 vjet”, thotë një djalë.