Unaza e Madhe, 317 objekte do të prishen, me ose pa leje

562

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zhvilluar ditën e sotme një deklaratë për shtyp, ku edhe ka sqaruar projektin për Unazën e Madhe të Tiranës.

Në fjalën e tij, kreu i ARRSH-së, Afrim Qëndro u shpreh se në fazën e evidentimit rreth 317 objekte do të prishen, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen, 123 janë me vërtetime pronësie dhe pastaj për të tjerat nuk kanë asnjë lloj informacioni.

Sa i përket pyetjes se kur do të nisë prishja e objekteve për lirimin e rrugës, sërish nuk i është dhënë një përigjigjie.

“Ne jemi në fazën e parë të evidentimit të objekteve. Sapo të kemi statusin e duhur nga hipoteka do të fillojmë me prishjen e objekteve. Por do të presim institucionet,” theksoi Qëndro.

Prishja e ndërtesave të banimit ka shkaktuar jo pak reagime nga banorët e zonës. Për dy ditë rresht ata kanë dalë në protesta duke bllokuar rrugën tek Unaza e Re në të dyja anët e saj.

Ata shprehen të irrituar, pasi sipas tyre banesat po prishen pa u paralajmëruar ata më parë. Sipas banorëve, Kryeministri Edi Rama nuk e ka mbajtur fjalën.

vizore.al