Edhe kjo na mungonte! Pritet rritja edhe e çmimit të bukës

547

Prej 15 vitesh, Euglen Mërkuri operon në tregun e prodhimit të bukës, ndërkohë që së fundmi ka zgjeruar biznesin edhe me produkte të pastiçerisë. ”Këto produkte jam i detyruar t’i ruaj në frigorifer, por kjo na ka sjellë një problem me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”,-shprehet Mërkuri.

Sipas tij, në muajin prill të këtij viti, për energjinë elektrike ai është tarifuar me 14 lekë/kilovat, nga 7.6 lekë/kilovat që është çmimi i miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë. “Ky ndryshim është bërë pa asnjë njoftim paraprak apo të na komunikohet që ne kemi vendosur t’ju tarifojmë si bizneset e tjera për shkak se mbani frigoriferë.

Ky lloj faturimi është kosto direkte për ne dhe është e papërballueshme”,-shprehet Mërkuri, duke shtuar se  mënyra e vetme për të kompensuar këtë rritje kostosh është rritja e çmimit të bukës, duke përjashtuar mundësinë e falimentimit.

Mërkuri nuk është i vetmi që është prekur nga ky ndryshim faturimi, pasi sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave janë rreth 500 furra të cilat raportojnë këtë problem. Shqetësimi i këtyre bizneseve u bë publik gjatë një mbledhjeje rutinë të Entit Rregullator të Energjisë, ku kreu i shoqatës, Gëzim Peshkëpia parashtroi problematikën dhe kërkoi gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për të gjitha palët, çka nuk do të ndikonte në rritjen e çmimit të këtij produkti shumë të rëndësishëm për shqiptarët.

I pranishëm në këtë mbledhje, drejtori i Divizionit të Shitjes dhe Tregtimit në OSHEE, Elton Sevrani tha se kompania që ai përfaqësonte nuk ishte e gatshme të përballonte kostot që mund të lindnin nga ky diferencim, por sipas tij është e domosdoshme që diferenca që mund të lindë nga reduktimi i kësaj tarife të rimbursohet nga institucionet shtetërore.

“Meqenëse institucionet ligjvënëse kanë vendosur që disa klientë të jenë më të avantazhuar dhe të kenë një tarifë më të ulët ose më saktë të kontribuojnë më pak në kostot që i shkaktojnë OSHEE-së, ne jemi të detyruar t’i bindemi. Në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe në tabelën udhëzuese të Entit Rregullator, ka një fjali të thjeshtë: Prodhues mielli, çmimi 7.6 lekë. Në qoftë se kjo fjali bëhet prodhues mielli, buke, djathi, qumështi, bulmeti, etj. dhe thotë 7.6 lekë, ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Në qoftë se institucione të tjera duan të bëjnë një suport financiar për furrat e bukës prodhuese, ne mbajmë një çmim, do ishte gjykimi ynë, të përcaktuar në përputhje me kostot e të ardhurat dhe çdo diferencë të përpjesëtohej nga institucioni përkatës, Ministria e Ekonomisë, tatim-taksat, etj.”,-u shpreh Sevrani.

Ndërkaq, pas publikimit të lajmit, OSHEE pati një tjetër reagim publik, duke sqaruar arsyet se përse po zbaton këtë sistem faturimi. “Përveç bukës masive, e cila duhet subvencionuar dhe me të drejtë ka edhe këtë çmim, kemi një gamë të gjerë prodhimesh nga më të ndryshmet, pastiçeri, byrek, tregtim të produkteve të bulmetit, që ia ndryshojnë komplet natyrën këtij biznesi dhe nuk na lejojnë ne të aplikojmë këtë çmim të diferencuar dhe në avantazh të këtyre bizneseve. Kemi ndjekur me rigorozitet vendimet e ERE, kemi bërë ndryshimet e tarifës kur kemi parë se ky aktivitet është i ndryshëm nga ai i përcaktuar, pra ka një gamë mjaft të gjerë produktesh”,-thuhej në reagim.

Po ashtu, sqarohej se  “është kontribuar në zgjidhje, duke iu këshilluar ndarjen e ambienteve në dy aktivitete, pra aty ku kemi shërbimin e tregtisë  të pastiçerisë, produkteve të tjera, byrek etj. të ketë tarifë shërbimi me 14 lekë në tension të ulët. Për zonat ku ka prodhim, ku janë furrat e pjekjes dhe brumatriçet do të aplikohet çmimi 7.6 lekë”.

Enti Rregullator i Energjisë

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti gjatë një raportimi në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. I pyetur nga kreu i komisionit për këtë shqetësim, Ahmeti tha se të dyja palët kanë argumente që iu japin të drejtë, por zgjidhja sipas tij është nënshkrimi i 2 kontratave të energjisë elektrike nga ana e furrave të bukës.

“Vendimi i ERE-s lidhet vetëm me subjektet ose struktura që prodhojnë bukë. Me kalimin e kohës është vënë re që këto njësi janë shtuar edhe me aktivite të tjetë, pa dashur t’i listoj sepse të gjithë mallrat i shesin, por shesin mallra që nuk është vetëm buka. Ndërkohë që, pranë tyre është një dyqan që shet po këto mallra dhe çmimi i energjisë elektrike është i diferencuar sepse gjithmonë fshihemi mbrapa strukturës që lidhet me prodhimin e bukës. Ky është një problem që zgjidhet me një investim që furra të ketë më vete kontratën për çfarëdolloj pajisjeje që nuk i shërben furrës së bukës”,- u shpreh Ahmeti.

Prodhuesit: Paguajmë 10% të energjisë me çmim të rritur! Intervistë me Gëzim Peshkëpia, kryetar i Shoqatës së prodhuesve të Bukës

Pas këtyre propozimeve Shoqata e Prodhuesve të Bukës ka formuluar një propozim konkret, duke evituar investimin e ndarjes së linjave, por duke aplikuar një tarifim të diferencuar në faturë. Përmes një letre, dërguar ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri  është kërkuar që për furrat e bukës që kanë frigorifer, çmimi i energjisë të jetë 8.5 lekë/kw. Ministria nuk ka ende një vendim konkret për këto shqetësime, duke deklaruar se është duke u diskutuar me të gjithë palët e interesit.

Ndërkaq, përmes kësaj interviste kreu i shoqatës, Gëzim Peshkëpia argumenton më në detaje kërkesat e tyre, duke pranuar që reduktimi i pagesës të bëhet për ata frigoriferë, të cilët ruajnë vetëm produktet e furrës, siç mund të jenë ëmbëlsirat dhe duke larguar produktet e tjerë siç mund të jetë bulmeti apo uji. Po ashtu, ai kërkon edhe rishikim të nivelit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke e përafruar me vendet e rajonit.  Në të kundërt “rritja e çmimit të bukës është e paevitueshme”.