Shpërthen vullkani në Japoni, panik tek banorët

Shpërthimi i një vullkani në jug të Japonisë, ka krijuar panik te banorët, ndërsa tymi dhe hiri vullkanik është përhapur me shpejtësi duke bërë të anulohen me dhjetëra fluturime në një aeroport pranë vullkanit.
Agjencia Meteorologjike në Japoni tha se vullkani “Shinmoedake” shpërtheu ditën e martë, ndërsa hiri është ngritur deri në 7,500 metra. Ky është shpërthimi më i madh që nga viti 2011.
Nga aeroporti Kagoshima janë anuluar rreth 80 fluturime.
Si pjesë e “Unazës së Zjarrtë” të Paqësorit, Japoni goditet shpesh nga tërmetet, ndërsa ka 110 vullkane aktive.

Skenarët e koalicionit, të gjithë kërkojnë mandatin në Itali

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, që nuk prodhuan një rezultat të qartë, italianët nuk e dinë se kush do t’i qeverisë.
Sipas sondazheve të fundit, një në tre shtetas të fqinjit të përtej Adriatikut do të preferonte marrëveshjen mes lëvizjes “5 Yjet” dhe “Legen e Veriut”, skenar ky që do të çonte drejt krijimit të një ekzekutivi 100% populist.
E ndërsa Matteo Salvini e përjashton një mundësi të tillë, “5 Yjet” e Luigi di Maios mund të bashkojnë forcat me Partinë Demokratike, ashtu siç kërkon një fraksion brenda saj. Pikërisht këtë po përpiqet të shmangë Matteo Renzi me shtyrjen e dorëheqjes deri pas krijimit të qeverisë, për t’u siguruar kësisoj se nuk do të ketë një ujdi me Di Maion. Por Silvio Berlusconi këmbëngul se qeverinë duhet ta formojë qendra e djathtë.
Do ta mbështes Salvinin, u shpreh ai, dhe do të jem garant i koalicionit. Vota e së dielës nuk ishte një garë e brendshme mes nesh, këmbëngul “kavaljeri”, duke shtuar se suksesi i koalicionit është një zhvillim i rëndësishëm, pasi do të lejojë ndryshimin e politikave me të cilat është drejtuar vendi gjatë viteve të fundit.
I pyetur nëse Salvini ka të drejtën të paraqitet si kandidat për kryeministër, Berlusconi u përgjigj se do të respektojë deri në fund paktin parazgjedhor e do t’i japë pa hezitim kreut të “Lega Nord” mbështetjen e tij në përpjekjet për formimin e Ekzekutivit të ri.

Britani e Madhe, helmohet ish-agjenti i shërbimeve sekrete ruse

Një ish-agjent rus i strehuar prej 8 vitesh në Britaninë e Madhe ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi ka rënë në kontakt me një substancë misterioze. Sergei Skripal u gjet pa ndjenja në një stol në qendrën tregtare në Salisburi ditën e diel, bashkë me një grua të moshës 33-vjeçare.
Autoritetet britanike nuk kanë dalë me një deklaratë mbi ngjarjen, por ajo dyshohet të ketë në sfond luftën e spiunazhit mes Rusisë dhe Perëndimit. Kjo, pasi koloneli Skripal, ish-oficer i shërbimeve ruse të inteligjencës, ishte dënuar me 13 vjet burg në Rusi, për kalim informacionesh tek shërbimi sekret britanik.
Ai ishte shpallur fajtor për zbardhjen e identiteteve të agjentëve rusë që punonin në fshehtësi në vende të ndryshme Europiane, por ishte liruar në bazë të një marrëveshjeje mes Moskës dhe Uashingtonit, për shkëmbimin e agjentëve të spiunazhit.
Ngjarja kujton atë të ndodhur në vitin 2006, kur ish-agjenti rus Aleksander Litvinenko u helmua në rrethana të ngjashme në një lokal të Londrës, me lëndë radioaktive polonium 210. Më vonë rezultoi se Litvinenko po pajiste me informacione agjencitë ligjzbatuese në Londër dhe Madrid, për investimet kriminale të ish-oficerëve të inteligjencës ruse.

Moti drejt përmirësimit, por ka ende fshatra të bllokuara nga dëbora

Situata e motit është përmirësuar në pjesën më të madhe të territorit dhe temperaturat po rriten pas ditëve të ftohta të javës së shkuar, por në disa zona të thella në veri dhe veri-lindje ka ende disa fshatra të izoluara nga dëbora.
Në qarkun Shkodër, 4 akse rrugore rurale janë të bllokuara nga dëbora, konkretisht Bogë-Theth, Mali Shoshit-Bregu i Lumit, Muri i Turkut-Shllak, Fushë Arrëz- Iballë. Në rrugën Tamarë-Vermosh, automjetet mund të kalojnë veteëm me zinxhirë, ndërsa në njësitë administrative Shalë, Pult, Shosh, Temal, Shllak dhe Iballë, ka pasur mungesë të energjisë elektrike.
Në qarkun Kukës, aksi rrugor rural për në Njësinë Administrative Arrën vazhdon të jetë i bllokuar. Në Njësinë Administrative Lekbibaj janë 4 fshatra të bllokuar nga dëbora, ndërsa në njësinë administrative Tropojë e Vjetër mungon energjia elektrike.
Në qarkun e Dibrës aktualisht janë të bllokuara nga reshjet e dëborës 30 familje në Njësinë Administrative Xibër dhe në disa fshatra të Bashkisë Bulqizë. I bllokuar nga reshjet e dëborës është edhe aksi rrugor Xibër-Tiranë.

Gjykata rrëzoi ekstradimin në Itali të Alket Hatisë: E ka kryer dënimin në Shqipëri

Gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën për ekstradimin e Alket Hatisë në Itali. Vendimi u mor nga gjyqtari Paulin Çera, kurse Hatija, që deri tani ka qenë në kërkim, lirohet nga të gjitha akuzat.
Sipas gjykatës së Durrësit, Hatija e ka kryer dënimin 16 vite burg të dhënë nga drejtësia shqiptare për të njejtat vepra penale, trafik droge, për të cilat është dënuar me 20 vjet edhe nga gjykata në Itali.
Alket Hatia, i cilësuar nga mediat italiane si “Zot i Drogës”, u arrestua në 8 korrik pasi u shfaq në sistem si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Gjykata e Milanos e kishte dënuar me 20 vjet burg për trafik narkotikësh. Në 11 korrik 2017, ai fitoi lirinë nga Shkalla e Parë e Durrësit, por gjykata e Apelit vendosi “arrest me burg”.
Nga ajo dite ai nuk u kap më, dhe çështja, e cila u rikthye për gjykim në themel, u rrëzua përfundimisht.

Vëllai i Adem Jasharit: Pa Shqipërinë, lufta do të ishte e pamundur

Plot 20 vite nga rënia e Adem Jasharit dhe epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Tiranë u përkujtua ngjarja që solli ndryshimin e historisë së Kosovës.
Për vëllain e komandantit legjendar të UÇK-së, lufta e Kosovës nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e shqiptarëve në anën tjetër të kufirit.
“E falënderoj mbarë popullin shqiptar të Shqipërisë për pritjen e respektin gjatë asaj periudhe të luftës në Kosovë. I falënderoj të gjithë për kontributin edhe përpara luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës”, tha Rifat Jashari.
Ajo çfare bëri UÇK-ja për Kosovën shihet edhe sot nga politikanët e diplomatët si një udhërrëfyes për të ardhmen e shtetit 10-vjeçar.
“Është frymëzimi ynë. Mbi të gjitha është busulla jonë në rrugëtimin e konsolidimit të shtetit tonë në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar”, tha Syle Ukshini, ambasador i Kosovës në Shqipëri.
Për Pandeli Majkon, ish-kryeministër i asaj kohe që menaxhoi një situatë mjaft të vështirë, ajo çfarë Jasharët dhe UÇK-ja kanë lënë pas është një mesazh shumë i rëndësishëm për brezat e së ardhmes.
“Shpesh liria ka peshën e heshtjes së të rënëve. Kemi vetëm një detyrë në të tilla raste, për të transmetuar tek ata që vijnë më pas mesazhin e burrave dhe grave, të cilët në ditët e vështira të kombit treguan veten”, tha Majko.

Rama merr Çmim në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri Edi Rama po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të dielën mori pjesë në Konferencën e Komitetit Izraelito-Amerikan në Uashington.
Ky ishte takimi i vetëm që kishte njoftuar kryeministria, ndërsa të hënën në mbrëmje vonë, Rama njoftoi në faqen e tij në facebook, se kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë.
“Një surprizë e posaçme, ceremonia e marrjes së çmimit për pluralizmin kulturor, i dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer”, shkruan Rama në facebook, i cili ka postuar edhe një video.
Çmimi, sipas kryeministrit, i është dhënë për angazhimin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.
“Një nder shumë i veçantë për mua, qeverinë tonë dhe padiskutim Shqipërinë, që rrezaton, gjithnjë e kudo, me shembullin e saj të mbrojtjes së popullit hebre, gjatë orëve të zeza të Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Rama.

Kuvendi miratoi me 88 vota vetting-un në Polici

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar me 88 vota ligjin për vetting-un në Polici dhe Gardë.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 121 vota edhe ngritjen e Komisionit Hetimor për Saimir Tahirin.
Mazhoranca dhe opozita kishin rënë dakord për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore për kultivimin e lëndëve narkotike, përfshi këtu rastin për të cilin Prokuroria po heton ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kryetar i këtij komisioni do të jetë demokrati Paloka, ndërsa n/kryetare socialistja Ermonela Felaj.
Anëtarë nga PD janë Enkelejd Alibeaj, Flamur Noka, Edi Paloka, ndërsa nga LSI do të jetë Endrit Brahimllari.
Komisioni hetimor sipas rregullores, kush e kërkon merr drejtimin, pala tjetër merr shumicën.

Lajm i mirë për shqiptarët në Angli, vendimi për emigrantët

Një mundësi e artë e duket se ka ardhur nga Britania për të gjithë emigrantët, përfshirë edhe mijëra shqiptarët që e duan të pajisen me dokumenta.
Londra njoftoi se çdo qytetar me shtetësi nga ndonjë vend i Bashkimit Europian, i cili mbërrin në Britani para se zyrtarisht ishulli të dalë nga BE, në mars të 2019-ës, do të gëzojë të drejtën për të jetuar në mënyrë të përhershme në Britani.
Vendimi i papritur vjen pasi Kryeministrja britanike është akuzuar për “kapitullim total” për çështjen e të ardhmes së qëndrimit në Britani të shtetasve të BE-së, pasi vendi të dalë nga Unioni në 2019-ën.
Britania kishte rënë dakord që të gjithë 3.2 milionë shtetasit e BE-së që jetojnë aktualisht në Britani do të mund të jetojnë për tërë jetën e tyre në ishull dhe do gëzojnë të gjitha të drejtat si çdo shtetas britanik.
Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh me pasaporta greke apo italiane janë duke shkuar në Britani pikërisht për të përfituar edhe nga kjo mundësi, por edhe nga mundësitë e punësimit që ofron ekonomia britanike.
Nëse ata vërtetojnë se kanë jetuar ligjërisht prej pesë vjetësh do të marrin statusin e rezidentit duke pasur akses të plotë në shkollat angleze, spitalet, sistemin e pensioneve dhe përfitimet sociale që merr çdo britanik.
Ndërkaq, ata shtetas të BE-së që kanë më pak se pesë vjet, do u lejohet qëndrimi deri sa të arrijnë kufirin prej pesë vjetësh për ta përfituar këtë drejtë.
Ajo që ka vendosur së fundmi qeveria britanike është edhe për ata që do të mbërrijnë në Britani nga sot deri në mars të 2019, do kenë automatikisht të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Britani edhe pas Brexit.
Ndryshimi i qëndrimit britanik duket se vjen pas presionit të BE-së, se do të pengonte fillimin për arritjen e një marrëveshje tregtare me Londrën. Ky veprim ka shkaktuar zemërimin e deputetëve euroskeptik në radhët e konservatorëve britanik.

President i përjetshëm si Xi Jinping, Trump: Duhet ta provojmë edhe ne

Nisma e Xi Jinping për të shfuqizuar nga Kushtetuta e vendit nenin që kufizon me dy mandate Presidentin është “përshëndetur” nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Publikisht, shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këtë, por privatisht, të paktën sipas asaj që raporton CNN, Trump i ka dhurur lavde homologut të tij kinez.
“Tani ai është President i përjetshëm. Ai është i madh! Ishte në gjendje që ta bënte këtë dhe unë mendoj se bëri shumë mirë, mbase edhe ne duhet ta provojmë të bëjmë një ditë këtë”, citohet Trump.
CNN thotë se zotëron audion e kësaj fraze të Presidentit amerikan, bërë gjatë një takimi me donatorët republikanë në shtetin e Floridas.
Gjiganti mediatik amerikan shton gjithashtu se në këtë takim, Trump i është rikthyer vendimit për të mos hetuar Hillary Clinton pas fushatës presidenciale të 2016. Ai flet për një sistem të korruptuar, që nuk ka njerëzit e duhur për ta korrigjuar atë.