Vëllai i Adem Jasharit: Pa Shqipërinë, lufta do të ishte e pamundur

564

Plot 20 vite nga rënia e Adem Jasharit dhe epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Tiranë u përkujtua ngjarja që solli ndryshimin e historisë së Kosovës.
Për vëllain e komandantit legjendar të UÇK-së, lufta e Kosovës nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e shqiptarëve në anën tjetër të kufirit.
“E falënderoj mbarë popullin shqiptar të Shqipërisë për pritjen e respektin gjatë asaj periudhe të luftës në Kosovë. I falënderoj të gjithë për kontributin edhe përpara luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës”, tha Rifat Jashari.
Ajo çfare bëri UÇK-ja për Kosovën shihet edhe sot nga politikanët e diplomatët si një udhërrëfyes për të ardhmen e shtetit 10-vjeçar.
“Është frymëzimi ynë. Mbi të gjitha është busulla jonë në rrugëtimin e konsolidimit të shtetit tonë në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar”, tha Syle Ukshini, ambasador i Kosovës në Shqipëri.
Për Pandeli Majkon, ish-kryeministër i asaj kohe që menaxhoi një situatë mjaft të vështirë, ajo çfarë Jasharët dhe UÇK-ja kanë lënë pas është një mesazh shumë i rëndësishëm për brezat e së ardhmes.
“Shpesh liria ka peshën e heshtjes së të rënëve. Kemi vetëm një detyrë në të tilla raste, për të transmetuar tek ata që vijnë më pas mesazhin e burrave dhe grave, të cilët në ditët e vështira të kombit treguan veten”, tha Majko.