Sot, Presidenti i Republikës, Ilir META, priti në një takim konsultativ, përfaqësuesit e “Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”, i cili është krijuar rishtaz si një “platformë lobimi” për promovimin e produkteve shqiptare, përfaqësuar nga Dhomat e Tregtisë së Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë.
Presidenti i Republikës përgëzoi dhe mbështeti iniciativën e krijimit të këtij Forumi si një domosdoshmëri e stadit aktual të zhvillimit ekonomik, sidomos në kuadër të axhendës tonë të përbashkët të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Gjithashtu, Presidenti theksoi se përmirësimi i klimës së biznesit, heqja e barrierave tarifore dhe jo tarifore mes vendeve tona, thithja e investimeve të huaja direkte, parashikueshmëria fiskale, garancia juridike dhe kontraktuale, duhet të jenë disa nga prioritetet kryesorë në axhendën tonë ekonomike.
Presidenti i Republikës apeloi për më shumë mekanizma financiar, fiskal dhe promovues për prodhimin vendas dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe “brandeve” shqiptare, përfshirë çertifikimin e tyre me destinacion eksportin në tregjet e qëndrueshme ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, mund të fuqizojmë “Hapësirën Ekonomike Mbarëkombëtare” e cila do ti paraprinte dhe ndihmonte krijimit të “Zonës Ekonomike Rajonale” që duhet të funksionojë si një “paradhomë” e anëtarësimit në BE dhe integrimit të plotë ekonomik në Tregun e Përbashkët Europian.
Thaçi takohet me zyrtarin e DASH: Kosova nuk pranon ndarje, shkëmbim territoresh apo autonomi
Thaçi takohet me zyrtarin e DASH: Kosova nuk pranon ndarje, shkëmbim territoresh apo autonomi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti në një takim ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell. Pas bisedës, ata dolën në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambjentet e aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë. Gjatë fjalës së tij, Thaçi bëri me dije se në takimin me zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit është zotuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë sipas asaj që parashikon kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Më tej kreu i shtetit të Kosovës tha se Demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet shumë shpejt në Kuvend. Gjithashtu bëri me dije se diskutoi me zyrtarin e Administratës së presidentit Donald Trump lidhur me themelimin e ushtrisë së vendit. Të njëjtën gjë konfirmoi dhe Mitchell.
“Folëm për ndryshimet kushtetuese dhe e theksova para presidentit se askush nuk ka të drejtë të vërë veto mbi sigurinë e Kosovës”, u shpreh në konferencë ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike.
Më tej ai mohoi raportimet e mediave serbe se ka ardhur me një plan për Kosovën të cilin do t’ia shpaloste presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Zyrtari amerikan akuzoi Rusinë se po luan një rol destruktiv në Ballkan duke shpërndarë dezinformata dhe duke dëmtuar institucionet demokratike. Ai tha se u është bërë e qartë rusëve se kjo nuk është në interesin e tyre dhe as në interesin e popujve të rajonit. Në fund edhe Mitchell bëri thirrje për miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Me vizitën në Kosovë, zyrtari i DASH nisi turin e vizitave të tij në Ballkan. Të martën ai do të udhëtojë për në Maqedoni, të mërkurën në Serbi dhe të enjten do të vizitojë Greqinë.
Shpërthim në një servis celularësh në Tiranë
Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në një dyqan celularësh në Tiranë. Një person ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë Drejtorisë së Higjenës, në Rrugën e Elbasanit në kryëqytet.
Sipas njoftimit të policisë, shpërthimi ka ndodhur nga një lëndë e papërcaktuar dhe i plagosur rëndë ka mbetur Gentian Hoxha, i cili ishte duke punuar në dyqan.
Gentian Hoxha është dërguar me urgjencë në spitalin e traumës në kryeqytet dhe policia ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Burime nga policia thonë se Gentian Hoxha dyshohet se montonte mina me celular. Sapo ka hapur servisin e celularëve rreth orës 10:30, ai ka mbyllur derën dhe ka shkuar të punojë në tavolinën e punës. Grupi hetimor dyshon se shpërthimi i ka ndodhur në dorë.
Sipas policisë lënda është ende e papërcaktuar, por duke u nisur nga dëmtimet e 34 vjeçarit, dëmtimet e biznesit dhe forca e shpërthimit, dyshimet janë se 34 vjeçari montonte mina me cellular.
Burime nga policia thanë se një incident ne montim mund të ketë shkaktuar shpërthimin. Dyshimet përforcohen edhe prej faktit se në momentin e ngjarjes, 34 vjeçari derën e biznesit e kishte të mbyllur.
Maskat në Korçë, grabitet automjeti dhe dhunohen 2 persona
Një automjet është grabitur mbrëmjen e vonë të së mërkurës në periferi të Korçës.
Raportohet se persona të maskuar dhe të armatosur, pasi dhunuan shoferin dhe pasagjerin, kane grabitur automjetin e tyre dhe më pas janë larguar.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.
Dy sulme me thikë në Vjenë të Austrisë, 4 kalimtarë janë plagosur
Dy sulme me thikë kanë ndodhur mbrëmjen e sotme në Vjenë të Austrisë. Sipas mediave lokale, të paktën 4 persona kanë mbetur të plagosur rëndë, ndërsa autorët janë ende të lirë.
I pajisur me një thikë, agresorët kanë sulmuar kalimtarët në rrugë. Ngjarja ka ndodhur në Pratershtase, një zonë e banuar pranë stacionit të metrosë Nestrojplaltc, pranë parkut Prater dhe pak milje larg kështjellës Hofburg.
Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërkohë që një operacion për kapjen e tyre nga forcat speciale vieneze, VEGA është në zhvillim e sipër.
Ndërkohë, vendi i ngjarjes është izoluar nga policia dhe banorëve të zonës Pratershtase u është bërë thirrje që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
MEPJ dorëzon në Presidencë përgjigjen e dytë, Rama-Meta takim kokë më kokë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dorëzuar sot në Presidencë përgjigjet e kërkesës së dytë të kreut të shtetit për detaje të marrëveshjes me Greqinë dhe saktësimin në harta të ndarjes së kufirit detar, shoqëruar edhe me dokumentacionin përkatës.
Burime nga Presidenca konfirmojnë se dokumentacioni është dorëzuar në këtë institucion rreth orës 18 të mbrëmjes së sotme. Më herët, Kryeministri Edi Rama është takuar në Presidencë me kreun e shtetit, Ilir Meta.
Stafet e Kryeministrisë dhe Presidencës janë rezervuar për të dhënë detaje rreth takimit, por kanë konfirmuar se tema e diskutuar ka qenë dhënia e autorizimit për negociatat me Greqinë.
Presidenti Ilir Meta në deklaratat e mëparshme është shprehur se komunikimet do të jenë institucionale për këtë cështje të mprehtë, por në takimin e sotëm që zgjati për rreth 60 minuta, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri janë takuar kokë më kokë me dyer të mbyllura në ambientet e Presidencës.
Çështja "Kristal", Ministria e Arsimit: Në 86 raste të shqyrtuara, asnjë prej tyre nuk është e vlefshme
Ministria e Arsimit reagoi sot lidhur me çështjen e falsifikimit të diplomave nga ish universiteti “Kristal”, duke hedhur poshtë aludimet se ka regjistruar diploma të falsifikuara që i përkasin institucioneve që janë mbyllur, pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në vitin 2014.
Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, lidhur me falsifikimin e diplomave në emër të një universiteti të mbyllur prej disa vitesh, kërkon të sqarojë:
Ministria e Arsimit refuzon kategorikisht aludimet se ka regjistruar diploma të falsifikuara që i përkasin institucioneve që janë mbyllur, pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në vitin 2014.
Si rezultat i të cilit, u mbyllën 23 universitete, 22 privatë, 1 publik dhe 6 filiale.
Ju bëjmë me dije se nga 1 shatori 2014, asnjë nga këto universitete nuk ka pasur të drejtë të lëshojë asnjë diplomë ndaj studentëve.
Ministria e Arsimit kërkoi nga institucionet e mbyllura që të dorëzojnë të gjithë regjistrat që disponojnë me emrat e studentëve.
Universiteti “Kristal” nuk pranoi të dorëzojë regjistrat sipas kërkesës zyrtare.
Pas kallëzimit që iu bë këtij universiteti për këtë shkelje të radhës, ndërhyri prokuroria dhe i sekuestroi regjistrat.
Pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, regjistrat u depozituan në arkivin e Ministrisë së Arsimit.
Prej kohës së mbylljes së këtij universiteti, institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar të dinë nëse diplomat që kanë marrë nga ky universitet janë të vlefshme apo të falsifikuara.
Në ministri kanë mbërritur kërkesa për këtë verifikim, por në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon.
Dorëhiqet këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për ekonominë, Gary Cohn
Gary Cohn, këshilltari për ekonominë i presidentit amerikan, Donald Trump ka dhënë dorëheqjen. Kjo është konfirmuar nga vetë Shtëpia e Bardhë. Ky ishte i fundit i një sërë largimesh tw figurave të larta të administratës së Trump.
Në mediat amerikane ka pasur spekulime që Cohn, një mbështetës i tregtisë së lirë, ka kundërshtuar planin e presidentit për të vendosur tarifa për importimin e aluminit dhe çelikut. Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Cohn nënvizon se për të “ishte një nder që i shërbeu vendit”.
57-vjeçari, ish-president i bankës “Goldman Sachs” ka ndihmuar Trump që të aprovojë reformën e taksave në fund të vitit të kaluar. Duke e konsideruar gjendjen në Shtëpinë e Bardhë si një kaos total, mediat raportojnë se marrwdhënia mes Trump dhe Cohn nuk ka qenë kurrë e afërt. Megjithatë për këto pretendime ka ardhur dhe një reagim nga presidenti amerikan.
“Lajmi fals i ri është që në Shtëpinë e Bardhë ka kaos. Kjo është e gabuar! Njerwzit gjithmonë do të vijnë dhe ikin, por unë dua një bashkëbisedim të fortë përpara vendimit përfundimtar”, shkruan Trump në Twitter. Më tej ai nënvizon se dëshiron që të ndryshojë edhe disa figura në administratën e tij, pasi ai gjithmonë kërkon perfeksionin.
“Do të marr një vendim shumë shpejt për emërimin e ri të këshilltarit për ekonominë. Shumë persona dëshirojnë këtë vend pune, por unë do të zgjedh me zgjuarsi”, shton më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, në gusht të vitit të kaluar, Cohn kritikoi Trump lidhur me reagimin e tij për një protestë të ekstremistëve të djathtë në Sharlotsvil të Virxhinias. Në atë kohë, ai tha se administrata mund të bëjë më shumë. Mediat raportuan vitin e kaluar se pas protestës, Cohn kishte dorëzuar dorëheqjen.
Aktorja e filmave Porno ngre çështje kundër Trump: Marrëveshja për blerjen e heshtjes sime e pavlefshme
Aktorja e filmave Porno, Stormy Daniels ka ngritur një çështje kundër presidentit Donald Trump, duke konfirmuar se marrëveshja e saj për të mos folur për lidhjen me manjatin amerikan është e pavlefshme, pasi Trump nuk e ka firmosur kurrë. Nga letrat në veprim ligjor, sipas Uashington Post, kjo ka zbuluar se si kandidati i atëhershëm presidencial nuk e ka aprovuar kurrë pagesën prej 130 mijë dollarësh, të cilat avokati i Trump i lëvroi për heshtjen e aktores.
Marrëdhënia intime mes tyre, sipas qëndrimit të Stormy Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, ka nisur në 2006 në liqenin Tahoe dhe ka vazhduar deri në 2007-ën.
Avokati i Trump, Michael Cohen dhe përfaqësuesja ligjore e Clifford në atë kohë, Keith Davidson kanë negociuar që çështja të titullohej “marrëveshje heshtjeje”, për të cilën do të paguhej 130 mijë dollarë, pikërisht pak para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.
Pas një sërë vonesash dhe një anullimi të kontratës nga ana e aktores së filmave Porno më 17 tetor, pagesa arriti më 27 tetor të 2016, vetëm 12 ditë para votimeve. Avokati i presidentit amerikan, së fundmi ka pranuar se ka përdorur paratë e tij për pagesën. Avokati i pornostares, konfirmon se ka ndërmarrë një veprim ligjor në gjykatën e Los Angeles.
Nga dokumentet në zotërim rezulton se Trump nuk ka aprovuar kurrë pagesën e Stormy Daniels dhe për këtë përfaqësuesi ligjor kërkon një urdhër gjykate për anullimin e plotë të marrëveshjes.
Vendosen tabelat e para në gjuhën shqipe në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit
Ka nisur zëvendësimi i tabelave në rrugë edhe në gjuhën shqipe, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për heqjen e emrit të aeroportit të Shkupit “Aleksandri i Madh” duke e emëruar “Aeroporti Ndërkombëtar Shkup”, si dhe pas heqjes të mbishkrimit mbi aeroport dhe monumentit të Aleksandrit të Madh që ishte në hapësirat e brendshme të aeroportit.
Pas heqjes së tabelave në autostradë në drejtim me Greqinë, ku figuronte emri “Aleksandri i Madh” dhe zëvendësimit tw tyre me tabelat e reja me emrin “Miqësia”, brenda pak orësh janë vendosur edhe tabelat e reja.
Vendimi u mor gjatë takimit të dy kryeministrave, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik. Një hap i tillë u vlerësua pozitivisht nga Athina, që e cilësoi si dëshmi se Maqedonia po heq dorë, sipas tyre, nga irredentizmi.