Dy të ndaluarit nga policia për ngarkesën e 613 kilogramëve kokainë dje në Durrës kanë mohuar lidhjet me drogën. Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku kanë mohuar para grupit hetimor që të jenë të përfshirë apo të kenë pasur dijeni për trafikimin e kokainës.
Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku deklaruan në polici se janë njoftuar nga autoritetet portuale se kishin përfunduar procedurat dhe kishin shkuar për të tërhequr kontenierin.
“Jam i punësuar tek kompania “Arbri Garden”. Autoritetet portuale më njoftuan për të tërhequr ngarkesën. Jam i punësuar për tu marrë me punët e kompanisë. Organizoja punën dhe zgjidhja transportin”, mësohet të ketë thënë Donaldo Lushaj para prokurorëve.
Ndërsa shoferi i kamionit që kishtë të ngarkuar kontenierin me kokainë, Armando Pezaku ka thënë se nuk e dinte se çfarë kishte në kamion.
“Më njoftuan se erdhi ngarkesa dhe shkova në port për ta marrë”, ka thënë Pezaku.
PSG: Neymar do të mungojë në ndeshjen ndaj Real Madridit
PSG njoftoi zyrtarisht se braziliani Neymar do të operohet dhe do të mungojë të martën e ardhshme në ndeshjen ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
PSG njoftoi se Neymar do të udhëtojë drejt Brazilit, ku edhe do të operohet.
“Stafi mjekësor i PSG-së në bashkëpunim me atë të Kombëtares së Brazilit kanë vendosur: Në marrëveshje me lojtarin është vendosur që të shkohet me opsionin e operimit. Neymar do të operohet në Brazil nga DR Rodrigo Lasmar, i shoqëruar nga profesori Saillant i PSG-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të skuadrës franceze.
Pas operimit, Neymarit do t’i duhen rreth dy muaj që të rikthehet në formën e tij më të mirë.
Lazio-Milan, penalltitë përcaktojnë finalistin e Kupës së Italisë, Strakosha pret 2
Në stadiumin “Olimpico” të Romës u luajt ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Italisë mes Lazios dhe Milanit”.
Ashtu si takimi i parë në “San Siro”, edhe në Romë sfida mes lacialëve dhe kuqezinjve përfundoi pa gola. Madje edhe dy shtesat 15 minutëshe nuk prodhuan gol.
Finalisti u përcaktua nga gjuajtjet e 11-metërshave, ku më të saktë u treguan lojtarët e Milanit, të cilët fituan 5-4 dhe u kualifikuan në finale. Përballë do të kenë gjigantin Juventus.
Gjatë ekzekutimit të 11-metërshave, talenti shqiptar Strakosha priti dy bomba dhe po aq priti edhe portieri i Milanit, Giggio Donnarumma.
Ndryshon qëndrim, Donald Trump kundër armëve
“Mos u tmerroni nga lobi i fuqishëm i armëve!”, i tha Donald Trump disa kongresmenëve duke u larguar nga qëndrimi i partisë së tij. Ai i kërkoi atyre të dalin me një projektligj gjithëpërfshirës mbi reformën e armëve, në mënyrë që të zgjerohet kontrolli i historikut të individivëve që duan të blejnë armë, si edhe të ngrihet mosha ligjore e blerjes së një arme, nga 18 në 21 vjeç.
Takimi i Trumpit me kongresmenët erdhi pas sulmit tragjik nga një adoleshent në një gjimnaz të Floridës, që shkaktoi 17 viktima, por edhe referuar rasteve të tjera të mëparshme.
Ndryshimi i menjëhershëm i qëndrimit të tij lidhur me “armët” ka habitur mjaft ligjëvënës e opinionistë. “Presidenti i la ligjvënësit me gojë hapur”, shkruan “New York Times”.
Për CNN-in, komentet e Trumpit i kanë trazuar sërish republikanët, mbështetës të hapur të së drejtës së amerikanëve për të zotëruar armë, të cilët i shohin kufizimet në këtë drejtim si shkelje të amendamentit të dytë të Kushtetutës amerikane.
“Ata kanë pushtet të madh mbi ju, – u ka thënë Trumpi ligjvënësve, duke iu refuar lobit të armëve “NRA”, – por kanë shumë më pak pushtet mbi mua”.
Presidenti tregoi gjithashtu se përkrah idenë që policia t’ua konfiskojë armët personave të konsideruar të rrezikshëm edhe pa urdhër gjykate, ndërsa vazhdon t’i qëndrojë mendimit se mësuesit duhet të armatosen.
Deklaratat e tij për kontrollin e armëve kanë ndryshuar edhe më parë. Në fillimin e vitit 2000 e mbështeti ndalimin e armëve të sulmit, por ndërsa i afrohej nominimit republikan për Shtëpinë e Bardhë u përshtat më shumë me bindjet e partisë së tij. Tani ndryshon sërish qëndrim.
Milani flirton me brazilianin Willian
Mediat e huaja sportive bëjnë me dine se braziliani Willian, i cili aktualisht luan në skuadrën e Antonio Conte, mund të largohet në fund të sezonit.
Mediat shkruajnë se marrëdhënia mes sulmuesit brazilian dhe trajnerit italian nuk është në kushte të mira dhe kjo vjen e trashëguar nga sezoni i shkuar, kur sulmuesi brazilian nuk dha rezultatet e pritshme prej trajnerit.
Conte është justifikuar me formën dhe se forma që ka në këtë sezon i lejon më shumë minuta. Por, Willian që më parë ka luajtur me Shakhtar, duket se është gati për një eksperiencë të re në skuadra të tjera.
Skuadra që përflitet më shumë është Milani, me të cilët kanë nisur kontaktet e para. Menaxheri i futbollistit është kontaktuar nga kuqezinjtë që janë të interesuar për 29-vjeçarin.
Willian është një prej të preferuarve edhe nga Jose Mourinho, pavarësisht se sulmuesit aktualisht nuk i mungojnë.
Vetë braziliani nuk është shprehur për të ardhmen, pasi është nën kontratë edhe për 2 sezone te Chelsea.
424 kg hashash në Igumenicë, një shqiptar në pranga
Nuk ka fund droga nga Shqipëria. Një sasi prej 424 kg hashash është kapur dhe sekuestruar nga policia greke në Igumenicë, pas një operacioni të përbashkët me forcat e Marinës detare, gjatë të cilit është arrestuar edhe një shtetas shqiptar.
Policia e Prevezës kishte marrë informacione për një gomone të ngarkuar me lëndë narkotike dhe ka kërkuar ndihmën e 6 skafeve të Marinës detare nga Korfuzi dhe Lefkada.
Operacioni është zhvilluar rreth orës 2 të mëngjesit sonte, kur gomonia me drogë e cila ishte nisur nga brigjet shqiptare është shfaqur në gjirin pranë Platarjasë.
Bëhet me dije se policia ka ndërhyrë në momentin kur drejtuesi i saj, një 42 vjeçar po e lidhte barkën në mol për të nxjerrë drogën, duke kryer arrestimin e tij dhe sekuestrimin e 32 pakove të lëndës narkotike të llojit hashash.
Skafisti shqiptar është çuar në Gjykatën e Thesprotisë ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Ai akuzohet për trafikim të organizuar të drogës, ndërsa hetimet paraprake për hetimin e plotë të çështjes kryhen nga Departamenti i Sigurisë së Prevezës.
5 ton hashash nga Shqipëria; 25 të arrestuar në Itali
Guardia di Finanza ka arrestuar në të gjithë Italinë 25 persona përgjegjës për dërgimn e rreth 5 tonëve hashash nga Shqipëria drejt vendit fqinj.
Guardia di Finanza e Katanxaros, në bashkëpunim me Shërbimin Qendror të Hetimeve në Romë, e kanë kryer këtë operacion antidrogë në të gjithë Italinë.
Mes të arrestuarve janë edhe tre krerët e bandës, bëjnë të ditur agjencitë italiane të lajmeve.
Ndërkohë, prokurori italian i antimafias, Nicola Gratteri ka thënë se mes 25 personave të arrestuar për trafikimin e 5 ton hashash nga Shqipëria drejt Italisë ka edhe emra të njohur të mafias kalabreze Ndrageta, duke përforcuar deklaratat e Prokurorit tjetër italian, De Raho, që vizitoi Shqipërinë dy ditë më parë, i cili tha se grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë ngushtë me klanet mafioze në Itali.
Demarkacioni, LDK akuzon për ndryshim të marrëveshjes mes partive
Anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme në Kuvendin e Kosovës votuan për ndryshimin e projektligjit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Në draftin e ndryshuar është përfshirë pakti i arritur gushtin e vitit 2015, mes Kosovës dhe Malit të Zi, ujdia e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe i gjithë materiali i Komisioneve shtetërore për orientim.
Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se komisioni në fakt ka tjetërsuar marrëveshjen e arritur disa ditë më parë mes partive politike AAK-PDK-LDK-Nisma.
Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani ka hedhur poshtë këtë pretendim dhe tha për mediat kosovare se organizmi që ajo drejton nuk ka bërë asnjë lloj ndryshimi, por ka votuar marrëveshjen e njëjtë të propozuar në seancën e Kuvendit nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Amendamenti i miratuar në komision është identik me atë të propozuar në seancë”, tha Osmani.
Konfuzioni e shton deklarata e nënkryetares së këtij komisioni, Time Kadrijaj e AAK-së, e cila tha se ajo dhe anëtarët e tjerë kanë votuar marrëveshjen e arritur disa ditë më parë mes partive dhe jo atë që është prezantuar së fundmi.
Të mërkurën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e akuzoi hapur Lidhjen Demokratike të Kosovës se e ka ndryshuar marrëveshjen mes partive për projektligjin mbi Demarkacionin me Malin e Zi.
Kuvendi i Kosovës dështoi për të tretën herë ta ratifikonte këtë marrëveshje, pavarësisht faktit që ajo u votua në ditën kur Prishtinën e vizituan 3 nga zyrtarët më të lartë të BE-së.
Nënë e bir në Vlorë u masakruan nga i dashuri i nuses
Olsin dhe Salkie Hoxhallari, nënë e bir, u vranë për xhelozi nga i dashuri i nuses së shtëpisë, pasi qysh prej ardhjes së Olsit nga emigrimi, dy të dashuruarit nuk takoheshin dot.
Më shumë se një muaj nga masakra e Olsi dhe Salkie Hoxhallarit në shtëpinë e tyre, krim që u maskua si zjarr rënie, policia dhe prokuroria zbardhi ngjarjen duke zbuluar edhe autorët.
Kasëm Pirjasi, 26-vjeç, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, është autori i dyshuar i vrasjes së Olsi dhe Salkie Hoxhallarit. Ai prej kohësh kishte një lidhje jashtë martesore me gruan e të ndjerit, Hysnie Hoxhallarin, por qysh kur Olsi ishte kthyer nga Greqia për festat e fundvitit, ai nuk kishte më mundësi ta takonte 38-vjeçaren e cila është nga fshati Stungë i Fierit, andej nga është edhe vrasësi dhe gjthashtu mblesi për martesën.
Bashkëpuntorë në këtë masakër është edhe bashkëshortja e Olsit, Hysnie Hoxhallari e cila dyshohet se ka fshehur armën e krimit dhe pasi banesa është djegur plotësisht ka njoftuar policinë se në shtëpinë e saj kishte rënë zjarr.
Pas një hetimi intesiv policia e Vlorës vërtetoi se dy të arrestuarit kishin pasur një histori që në fshatin Stungë dhe përpara se Hysnia të martohej me të ndjerin. Për këtë martesë kishte ndërhyrë Kasëm Pirjasi (vrasësi), i cili kishte lidhje krushqie me viktimën.
I pyetur nga policia Kasëm Pirjasi ka rrëfyer se pasi Olsi ishte kthyer nga Greqia ai nuk po e takonte më dot të dashurën, prandaj ka bërë edhe planin , ndërkohë që Hysnia këmbëngul se nuk dinte asgjë për vrasjen.
Gruaja ka shtuar se pasi Kasëmi i kishte vrarë të dy, edhe bashkëshortin dhe vjehrrën, ai e kishte njoftuar për masakrën. E lava hanxharin ka rrëfyer gruaja e cila ka treguar edhe vendin ku ishte fshehur, ai i vendosi zjarrin banesës së vogël dhe kur ai iku, unë prita deri në orën katër të mëngjesit dhe pastaj njoftova policinë.