Grabitet një pikë e këmbimit valutor në Fier, 2 të plagosur me armë

552

Tre persona të armatosur me kallashnikov grabitën sot rreth mesditës një agjenci këmbimi valutor në Fier.
Në ikje, autorët plagosën pronarin dhe një të njohurin e tij.
Agur Vrenozi, 63 vjeç, i cili ishte edhe mik i pronarit, tentoi të mbajë mbyllur derën për të mos i lejuar grabitësit të dalin, por qëllohet me plumb në ballë nga ata dhe merr një plagë të rëndë. Në të njëjtën kohë autorët qëllojnë drejt pronarit Gezim Hoxhës, 53 vjeç duke e plagosur edhe atë.
Pasi morën paratë sasia e të cilës ende nuk është bërë e ditur nga policia, 3 autoret u larguan me makinë në zonën veriore të qytetit drejt fshatit Baltëz. Policia është vënë menjëherë në ndjekje të tyre dhe i pikasi ndërsa ata braktisin makinën në anë të rrugës në hyrje të fshatit Baltëz dhe fshihen në drejtime të ndryshme.
I pari që u arrestua gjatë operacionit të policisë ishte Dashamir Gergali 41 vjeç, nga Fieri.
Lulëzim Demiraj, 43 vjeç nga fshati Vajzë e Vlorës ishte zhytur në ujë në kanalin kullues për t’i shpëtuar arrestimit.
Autori tjetër ishte fshehur në një banesë vetëm pak metra larg vendit ku qëndronte shoku i tij. Zini Fyraj, 37 vjeç nga Sevasteri i Vlorës u arrestua 15 minuta më pas.
Zini Fyraj u arrestua vitin e kaluar si pjesëtar i një grupi që i grabitën 4 mijë euro një te riu në Vlorë.
Bashkë me autorët është sekuestruar makina që dyshohet të jetë me targa false si edhe paratë që u morën nga pika e këmbimit valutor. Të plagosurit janë duke luftuar për jetën pasi të dy kanë goditje plumbi në kokë.
Agur Vrenozi është dërguar në Spitalin e Traumës në kryeqytet në gjendje kritike për jetën. Në gjendje të rëndë është edhe pronari i agjencisë Gëzim Hoxha, i cili po trajtohet në Spitalin e Fierit.