Mbahet sot në Kosovë seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin

452

Sot në Kosovë mbahet seanca e jashtëzakonshme për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Kjo është hera e tretë që në parlamentin e Kosovës do të bëhet përpjekje për ratifikimin e marrëveshjes.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u shpreh i bindur se deputetët do ta votojnë. Pasi kjo votë do i hapte rrugën vendit drejt Bashkimit Europian.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, beson se janë mbledhur votat e nevojshme për miratimin e Demarkacionit pasi sipas tij projektligji do të përkrahet edhe nga ndonjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje apo i Listës Serbe.
Sa i përket Listës Serbe, ai ka thënë se ky subjekt politik nuk ka ende një qëndrim përfundimtar nëse do ta votojë apo jo demarkacionin.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet plotësisht Marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, sipas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti.
Për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, maxhorancës i duhen 80 vota nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që krerët e partive kryesore në pushtet janë shprehur se tashmë janë siguruar 78 vota.