Gjermania mbyll dyert për azilkërkuesit

470

Gjermania, e kthyer në vitet e fundit në tokën e premtuar edhe për azilkërkuesit shqiptarë, ka shtrënguar masat për pritjen e tyre. Të enjten Dhoma e Ulët e Parlamentit Gjerman ka vendosur deri në muajin Korrik të ndalojë emigrantët të sjellin të afërmit nga vendet e origjinës dhe bashkimet familjare.
Me rregullat e reja nga muaji Gusht do të lejohen deri në 1000 emigrantë çdo muaj për të hyrë në Gjermani. Në Mars të vitit 2016, Gjermania vendosi një pezullim 2 vjeçar mbi bashkimet familjare për emigrantët me të ashtuquajturin status asistence. Konservatorët e Merkel dhe socialdemokratët e Shultz gjithashtu ranë dakord në parim që Gjermania të pranojë vetëm rreth 200,000 azilkërkues në vit. Marrëveshja midis Merkel dhe Shultz rrit shpresat e gjermanëve për një qeveri të re koalicioni deri në fund të Marsit. Nga 34 mijë qytetarë nga Shqipëria që kërkuan azil në Gjermani në vitin 2017 u pranuan vetëm 10 vetë.
Ndërsa autoritetet gjermane marrin masa të reja për të frenuar azilkërkuesit që nga Nëntori i 2017-ës procedura e vizave të punës për shtetasit e Ballkanit Perëndimor është thjeshtuar. Punëmarrësit tashmë paraqesin kërkesat për vizë pune tek përfaqësitë e Gjermanisë në vendet e tyre, por nuk kërkohet më miratimi nga Zyra e Punësimit. Kushtet që duhen plotësuar për marrjen e vizës së punës kanë mbetur të njëjtat: punësimi në ndërtim ose gastronomi nuk kërkon as njohuri gjuhe e as njohuri profesionale.
Vetëm për infermierët ose kujdestarët mjekësorë kërkohen njohuri gjuhe dhe dëshmi licensimi diplomat e shkollës profesionale. Azilkërkuesit, që deri 24 muaj para se të shtrojnë kërkesën kanë marrë ndihma në bazë të ligjit të azilërkuesve, nuk kanë të drejtë të marrin vizë pune. Këtu bëjnë përjashtim azilantët që kanë shtruar kërkesën për azil nga 1 Janari 2015 deri më 24 Tetor 2015, por që deri më 4 Maj 2016 u kthyen vullnetarisht në vendet e tyre. Të përjashtuar nga ky rregull janë edhe azilantët që jetojnë në Gjermani.
Në vitin 2017, Gjermania lëshoi 35 200 viza pune për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pjesa dërrmuese punojnë në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë, por ka edhe shumë që janë punësuar si pastrues apo kujdestarë shëndetësorë. Specialistët e kualifikuar janë të paktë dhe zënë vetëm 2,5 përqind të gjithë emigrantëve nga Ballkani.