Me sofistikimin e botës shqiptare të krimit, duket se larja e hesapeve ndërmjet bandave të trafikut të drogës, po u besohet gjithnjë e më shpesh ekzekutorëve apo vrasësve të huaj me pagesë.
Rasti më i fundit që tronditi Tiranën ishte ai i Efthymiou Efthymious, 41-vjeçari nga Arta e Greqisë që u arrestua sot në kryeqytet si ekzekutori i Devi Kasmit, 42-vjeçarit shqiptar të hetuar për trafik kokaine në Spanjë.
Vrasja e këtij të fundit dyshohet të ketë kryer me porosi të rivalit të tij Domart Konjari.
Një tjetër rast që kishte tronditur kryeqytetin rreth tre vjet më parë, ishte ai i ekzekutimit të dy personave, ditën që Tirana po vizitohej zyrtarisht nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe kur nëpër rrugë kishte forca të shumta policie.
Rezultoi se autor i masakrës së majit 2015, përpara fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku mbeti i vdekur Mentor Doçi dhe Gerdi Goxhajt, ishte Salvatore Letizia, një vrasës me pagesë që dyshohet se përdorej edhe nga Camorra napoletane për të kryer ekzekutime të tilla.
Një seri tjetër vrasjesh të bujshme në Tiranë, që kanë mbetur ende të pazbuluara, dyshohet se janë kryer gjithashtu nga dora e vrasës me pagesë, të ardhur enkas në Shqipëri vetëm për këtë qëllim.