Dy efektivë policie të Komisariatit të Rinasit në Tiranë kanë rënë në prangat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nën akuzën e korrupsionit. Bëhet fjalë për policët Endri Beramaj dhe Ardit Doçi, arrestimi i të cilëve u bë në flagrancë rreth mesnatës së të mërkurës.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se arrestimi i tyre u bë mbi dyshimet e mashtrimit të një qytetareje, të cilën të dy nuk e kanë lejuar të udhëtoj në drejtim të një shteti të Bashkimit Europian me pretendimin se i ka përfunduar afati i udhëtimit.
Megjithatë, sipas policëve, udhëtimin mund ta kryente pa probleme nëse do të paguante para ryshfet. Rasti është denoncuar nga gruaja në fjalë dhe më pas AMP nisi menjëherë veprimet për dokumentimin e veprës penale. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dyshime për përfshirje edhe të efektivëve të tjerë në skema të ngjashme, teksa po punon për të verifikuar edhe të tjerë.
Dy efektivët u arrestuan si të dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.