“Na vranë babën, e na vranë motrën, na përzunë, na dogjën votrën”, shqiptarët i kujtojnë Edi Ramës krimet serbe në Kosovë

64

Sjellja aspak e hijshme e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës, ku në një prononcim për mediat pas takimit me Vuçiç e Zaev, ofendoi rëndë kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, duke e cilësuar si “gënjeshtar të madh” e “të paditur klasik”, ka shkaktuar revoltë tek populli shqiptar.

Të shumtë janë ata që e dënuan këtë gjuhë krejtësisht të pavënd të përdorur nga kryeministrin ynë ndaj liderëve të Kosovës, për më tepër në prani të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Ardhja e presidentit serb në Tiranë, i cili në kohën kur Serbia udhëhiqej nga Millosheviçi ishte ministër i Propagandës, nuk është përtypur lehtë nga shqiptarët.

Me anë të një video të bërë virale në rrjet, ku ndërthuren pamje nga takimi Rama-Vuçiç dhe krimet serbe në Kosovë, dhe në sfond kënga “A vritet pafajsia” e Eleonora Jakupit, shqiptarët i kanë kujtuar kryeministrit të tyre të kaluarën e luftës së Kosovës, e cila s’mund të harrohet lehtë, gjë të cilën Rama u përpoq ta injoronte publikisht.

Kryeministri Rama u pyet sot nga një gazetare lidhur me mohimin nga ana e Vuçiç të masakrës së Reçakut, por zgjodhi të mos i përgjigjej duke u kapur me gazetaren, në tentativë për të shmangur pyetjen.