Kreu i SPAK raporton në Komisionin e Ligjeve, Dumani: 4 zyrtarë të dënuar në vitin 2022! Grupet kriminale janë sofistikuar

145

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka raportuar këtë të premte (26 maj) në Komisionin e Ligjeve në lidhje me punën e kryer gjatë vitit 2022 nga institucioni që ai drejton.

Në fjalën e tij, Dumani u shpreh se përgjatë vitit 2022 është rritur numri i hetimeve në çështjet e korrupsionit në nivelin e zyrtarëve të lartë, ku janë dënuar 4 zyrtarë të lartë.

“Gjatë vitit 2022 Janë dhënë 4 vendime dënimi me 4 persona të dënuar për ish-zyrtarë të nivelit të lartë. 2020-2022 janë hetuar 24 procedime penale me 24 persona nën hetim ndaj ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Janë dërguar në gjykatë 8 procedime penale me 8 të pandehur ish-gjyqtarë, 3 procedime penale me 3 të pandehur ish-prokurorë, 1 procedim penal me 2 të pandehur ish-deputetë, 1 procedim penal me 1 të pandehur ish-zv.ministër, 1 procedim penal me 1 të pandehur anëtare KPK, 4 procedime penale me 4 të pandehur ish-kryetar bashkie”, tha Dumani.

Ndalur te gjendja e kriminalitetit në vend, kreu i SPAK u shpreh se ka një sofistikim të grupeve kriminale, teksa shtoi se tashmë grupet e strukturuara kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë, po konsiderohen si grupe kriminale me një ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës.

Sipas Dumani, shqetësues mbetet fakti se në Dubai qëndron një numër i lartë të kërkuarish si të përfshirë në krim të organizuar, por që nuk mund të ekstradohen drejt vendit tonë për shkak të mungesës së një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Gjatë hetimeve të grupeve kriminale, vihet re një rritje e sofistikimit të kryerjes së veprave penale, komunikimi mes anëtarëve të organizatës, lidhja me organizata ndërkombëtare kriminale dhe format e pastrimit të produkteve të veprës penale. Tashmë grupet e strukturuara kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale me një ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht kokainës dhe kanabisit. Grupet kriminale të drejtuar nga shqiptarë kanë arritur të kenë qasje të drejtpërdrejtë me vendin e origjinës së kokainës duke krijuar lidhje të fortë me grupet kriminale në vendet e Amerikës Latine. Është kthyer në problem fakti që në Dubai qëndron një numër i lartë të kërkuarish me masën e sigurisë ‘arrest në burg’ në kuadër të krimit të organizuar për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritete në Emiratet e Bashkuara Arabe në mungesë të një marrëveshje ekstradimi”, u shpreh Dumani.

Po ashtu, Dumani u shpreh se ende nuk është plotësuar organika e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pasi janë ende edhe 3 vende vakante për prokurorë të posaçëm dhe 27 punonjës të administratës civile.

“Në lidhje me rekomandimin e përmbylljes së plotësimit të vendeve vakante në SPAK dua të them se gjatë vitit 2022 është përfunduar procesi i rekrutimit të 32 hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke finalizuar në këtë mënyrë, plotësimin e kësaj strukture me emërimin e 60 hetuesve pranë BKH. Sidoqoftë, organika mbetet ende e paplotësuar, ku ka ende vende vakante për 3 prokurorë të posaçëm dhe 27 punonjës të administratës civile”, deklaroi Dumani.