Prokuroria mbyll hetimet për Tahirin, ish-ministri njihet nesër me akuzat

454

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për Saimir Tahirin dhe përveç tij ka marrë si të pandehur edhe 3 ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çelen, Gjergji Kohilën dhe Sokol Boden.

Ish-ministri i Brendshëm do të paraqitet të enjten në orën 13:00 për t’u njohur me akuzat zyrtare që do të ngrihen ndaj tij. Ndërkohë, avokati i Çelës do të paraqitet ditën e sotme për të mësuar akuzat. Mbi 3 ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike.

Dy javë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën Tahirit për të mos u zgjatur hetimet, ndërsa Gjykata i dha kohë Prokurorisë deri më 10 mars.

“Për mua dhe prokurorinë fillon numërimi mbrapsht. Deri më 10 mars besoj që edhe prokuroria do ketë kohë të mbyllë hetimet. Kam pasur durim dhe do kem akoma, ashtu siç kam pasur forcë për t’ju shpjeguar të gjithë qytetarëve të vërtetën time deri në germën e fundit. Gjykata më dha të drejtë, kjo histori nuk mund të zgjasë pafund”, tha ish-ministri më 11 shkurt.