Kohët e fundit të fushatës elektorale, po vërejmë nji eskalim barbar linçimit publik ndaj disa artistave, “faji” i të cilëve asht se kanë zgjanue gamën e lirisë të tyne, tue mbështet kandidatura të krahut “heretik” në raport me rreshtimin e dikurshëm apo të përceptuem politikë.
Dy artistë shkodranë, Frederik Ndoci e Luiz Ejlli, janë vu në kryq se po mbështetësin Benet Becin, tue i akuzue si trathtar të Pd apo demek të djathtas, në nji kohë që krejt teatri Migjeni, me përjashtim të drejtoreshes që asht e emnueme prej kryetarit të Bashkisë, kanë ba të njejtën gja dhe askush nuk arsyeton në mënyrë logjike e të paqtë mbi arsyet e këtij ndryshimi të prezumiem kahjet bash prej kategorisë ma sensitive të shoqnisë tonë, e cila ka kallxue ma liri në kohën e diktaturës se në postmonizëm?! Kto artistë shkodranë dishka e kanë kuptue e duhen mirëkuptue.
Sigurisht, artisti nuk asht ekspert i politikës apo sintetizues i ndonji njohje të thellueme të realitetit, mbasi jeton edhe nji realitet gati mistik paralel, por pikërisht për këtë arsye, ka intuitën profetike dhe lirinë shpirtnore me “turbullue” ujnat e ndejuna të statuoskuosë politike e sociale që don me riciklue vetveten.
Artistët nuk e durojnë “autoviktimizimin”, janë eksplorator të risisë në Adn e vet, kaçavjerren mbas mirazheve për me i ba realitet me njetin e mirë dhe nuk meritojnë të gjykohen me kategori moraliste apo aq ma keq me linçim inatçor, sikur po ndodh prej disa militantëve të pashpresë politikë. Artisti o vërtet e ka ndërtue artin, tue u autosublimue në brishtësinë e tij konstitutive dhe meriton, edhe kur nuk jena dakort pak indulgjencë e sidomos rrespekt e mirënjohje.
Fakti që Luis Ejlli i asht mirënjohës Becit për nji nderë që i ka ba në nji moment akut vështirsie, asht vlerë që e rritë simpatinë tonë për Luisin. Edhe pse personalisht nuk e kam ndjek asnji dekik big brodher, jo për snobizëm, por sepse nuk shoh tv, mendoj se historia e fitores të Luizit në Big Brodher, asht motiv gëzimi e rreflektimi se në momentet e zorshme nuk janë etiketat me parti që të bahen ndihmë, por njiri konkret e zemërmirë. Prandej, të bahena pak artista në raportim me botën që na rrethon e të zdramatizojmë polikën që don me na ushqye si kanibal të saj.
Nga Nesti ZEFI