NUK VRITET PAFAJSIA!

576

Jehona dhe përjetimi i tragjedisë të djeshme në plazhin e Himarës, ku nji fëmijë i pafajshem i bashkohet korit të engjujve të qiellit, për shkak të degradimit në kanibalizëm të policit dhe shtetit që përfaqëson, tashma nuk mundet me kenë e vazhdue thjesht si reagim emotiv i momentit, por duhet shëndrrue në nji paralajmrim e alarm vetëdije, i ngulitun në mënyrë të përhershme në krejt qenien tonë si qytetarë të përgjegjshëm.

Kjo vrasje e emblemës të pafajsisë e shejtnisë të mishërueme në vajzën e vogël 7 vjeçare, nuk ishte thjesht nji aksident, por rezultat i nji procesi të gjatë kriminalizimi të policisë, shtetit e shoqnisë shqiptare, ku i drejti, i vërtetë, i meçmi u dëbue jashtë kuvendit, tue perifrazue poetikën e Patër Gjergj Fishtës. Përshkallzimit vrastar të sensit të komunitetit dhe shtetit që u përftue në kto 32 vjet prej drejtuesve të ri të postmonizmit, surrogat të shëmtuem të partisë dhe sigurimit famëkeq të shtetit, ka ardhë koha me këtë rast, bash me u vu kufinin te thana…

Qeveria ka ra moralisht bashkë me galaksinë e opozitës çakalle dhe në shtator duhet nji qeveri e re me personalitete te spikatuna në kulturë, dije e ndershmëni dhe nuk ka ma kohë me ba putpuri diskutimesh me narkozë prej divanit të tipit: duhet rritje kulture, edukate qytetare apo sikur halla të kishte hallate mashkullore, do të quhej axhë..


Bash në këtë momente jo ma vonë, duhet ndërhymje urgjente për me vendosë sovranitetin e komunitetit në det, fushe, mal e çdo pllame të zaptueme prej modelit të ” Nua Rrokave”… Prandej asht e kotë me u ushqye me iluzione në nji vend me përqindje të naltë humusi otoman, ku sensi i komunitetit sintetizohet në shprehjen makabre profanuese “Oj Shna Prende më ruej B#then teme”…


Shoqnia jonë duhet të rikuperojë njerëzit e kulturës dhe kriteri që të ban të tillë asht vetëdija për me kenë misionar deri në flijim në këtë moment sfidues për të mirën e familjes dhe komunitetit. Nji njiri i kulturës nuk mundet me hesht përballë dhunimit kaq sfidues të dinjitetit njerëzor dhe në këtë kontekst, duhet çarmatosë agresori në krejt zinxhirin e vet veprues, tue fillue te kreu i qeverisë e deri te ekzekutori i ktij krimi mostruoz. Mendoj se asht poshtërsi e mungesë ndershmenie me amnistue qeverinë dhe likudue këtë ndodhi si fatalitet…


Secili me takatin dhe ne proporcion me potencialet e veta, e ka detyre morale mos me tolerue ma kanibalizimin e shoqnisë tonë; mbi të gjitha me bojkotue modelet e politikës që janë lidhë e mbijetue, falë sinergjisë me krimin në kto 32 vjetë. E dij mirë qe nji pjesë e mirë e qytetarëve tonë janë anestizue ne ndjeshmëni ndaj komunitetit dhe injoranca e tyne instrumentalizue prej politikës të mbrapshtë, tue u kthy në arsenal goditës për ato pak za të arsyes që vikasin në këtë shkretinë ekzistenciale shqiptare, por ky fakt nuk mund te jetë shkak për demotivim. Krishti Zot, na ka thane se ai e ka mund vdekjen dhe na duhet të mos frikësohemi prej ktyne “coftinave” ambulante që ecin me dy kambë dhe po terrorizojnë Shqipninë..Zoti forcoftë familjarët e vajzës që humbi jetën tragjikisht, e cila ka prek thellë kordat e shpirtit tonë, me shpresë që raste tilla të jenë nji kujtim i trishtë i të shkuemes.

Nga Nest ZEFI