Parlamentarët kërkojnë nga Rai që të transmetojë në gjuhën shqipe Për shkak të komunitetit të madh të shqiptarëve në Itali

874

Parlamenti italian ka kërkuar që televizioni shtetëror RAI të ketë transmetim edhe në gjuhën shqipe për shkak të komunitetit të madh të shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinj. Deputetet propozues bëjnë thirrje edhe për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe.

Në Itali gjendet një kombësi e dytë dhe ajo është shqiptare. Sipas raportit të regjistrimit të popullsisë të vendit fiqnj në 2016-n, shqiptarët që jetojnë atje janë pothuajse gjysëm milioni. Të gjithë emigrantë. Në këto shifra nuk përfshihen edhe mbi 80 mijë shqiptarët që ndër vite kanë përfituar nënshtetësinë italiane. Gjithashtu nuk është llogaritur as komuniteti arbëresh prej 100 mijë personash, që prej shekujsh janë vendosur në disa zona të caktuara të Italisë.
Për këtë arsye të fortë parlamenti italian vendosi që ky komunitet i madh ka të drejtën që të përfitojë transmetime radiofonike dhe televizive në gjuhën shqipe. Dhe këtë detyrë duhet ta kryejë televizioni shtetëror Rai.

Kërkesa është bërë nga deputetët dhe senatorët e Komisionit për Mbikqyrje të Televizionit Shtetëror. Ndërkohë, nga ana tjetër parlamentarët theksojnë se gjuha dhe kultura shqipe duhet të mbrohen në Itali, në bazë të një ligji të 1999-s, njësoj si gjuha katalanase, gjermane, greke, sllovene, kroate, franceze dhe disa të tjera.