Zoja e Shkodrës mes legjendës dhe mrekullive.

1105

Zoja e Shkodrës, pajtorja e gjithë Shqipërisë, kujtohet dhe kremtohet me nderime, lutje dhe procesione. Qyteti kërkon që ajo, ndonëse fizikisht larg, ti afrojë me Zotin.

Legjenda lidhet me një pikturë dhe është sa e çuditshme, aq e mrekullueshme. Para më tepër se 550 vjetëve, për të mos u dhunuar nga furia osmane që po pushtonte qytetetin, nga një Kishë e vogël rrëzë Kalasë së Rozafës, mbajtur prej engjëjve, një figurë ku dukej Zoja e bekuar duke mbajtur në krah Jezusin fëmijë, u nis drejt qytezës së Gjenacanit pranë Romës dhe u vendos në një kishë agustiniane, rindërtimi i së cilës kishte kohë që kishte filluar, ama fundi i saj dukej larg.

Me vendosjen e Zojës aty, Kisha përfundoi me një shkëlqim mahnitës dhe menjëherë u kthye në vend pelegrinazhi për katolikë nga mbarë krahina, pastaj mbarë Italia e në fund, nga mbarë Evropa. Për të u interesuan të gjithë, përfshirë edhe Papën e kohës.

Për shumë vjet, ajo figurë u mbështoll me mister nga kishte ardhur; kush ishte autori i saj e të tjera pyetje e shoqëruan gjatë dekadave.

Zoja e Shkodrës në arkivat austriakeZoja e Shkodrës në arkivat austriake
Piktori nuk u gjet asnjëherë, ndërsa origjina është e padiskutushme Shkodra. Përpos fakteve historike të cilët nuk po i përmendim në këtë shkrim, piktori shkodran Pjerin Sheldija pyetur nga unë thotë se veshja e Zojës, veçanërisht ruba që i mbulon kokën kanë tipare të veshjeve tona kombëtare. Sipas tij, një pjesë e veshjes i takon zonës së nën Shkodrës.

Historikisht, shkodranët i janë besuar Zojës. Këngë, poezi e lutje të pafundme i kushtohen prej më tepër se një shekulli asaj. Vetë at Fishta apo të tjerë poetë të mëdhenj, me artin e tyre shprehin mrekullimin nga Nana e Krishtit.

Nënë Tereza, në vizitën e saj në Gjenacan i lutet Zojës që të kthehet në Shkodër e ashtu si ajo bëjnë shumë gra shkodrane të cilat, me rruzare ndër duar nisen drejt Kishës kushtuar asaj dhe ndërkohë që luten, shpresojnë që ajo “të mos i ketë harrue”.

Ndër shumë altarë ndrin hijeshia e të vetmes Zojë Shkodrane, quajtur si Nana e Shkodrës dhe shpallur prej shumë vitesh si Pajtorja e Shqypnisë.