Shokët e shokut Qemal

289

Mbas disa postimeve në fb për praninë në “foltorën” e Fevziut në opinion të shokut Qemal Lame, u ndala nja 40 minuta me pa ne youtube intervistën e tij, pra, kryehetuesit të pandëshkuem të diktaturës si shumë të tjerë të singjashëm me ta në zinxhirin e dhunës të atij rregjim. Dalja e tij në tv ma të ndjekun, bash në këtë moment demek “konfrontimi” politikë, asht krykëput mesazh jo fort i koduem për ofensivën e re revanshiste të parisë tonë politike qe ka qeverisë tash 30vjet me metodat e veta despotike.

Qemal Lame me Cv dhe “paburrninë” e deklarueme edhe në tv, asht pika e konvergjencës transversale e klasës tone politike, e shprehjes të famshme “bashkëvuejtës dhe bashkëfajtor” dhe krejt merimangës të ngatërrueshme të ish sigurimit të shtetit. Gjithashtu, dalja e Lames asht ftesë për rreshtim tok me partinë e madhe te pluralizmit të rrejshëm të Ramizit me Nexhmijen edhe mbas 30vitesh narko-demokraci. Gjithmonë e kam shkrue, se nji sistem totalitar e diktatorial në përgjithësi dhe ai ai qe pati Shqipnia në veçanti , efektet ma perverse, i shfaq realisht kur nuk asht ma formalisht në fuqi; arsyeja duhet gjetë te erucioni i tmerrshëm i çakejve që përfton momenti i ndërrimit të sistemit.

Në fakt, në Shqipni disidenca autentike, mori goditjen fatale qysh në fillimet e para te diktaturës me martirizimin e Klerit katolikë dhe intelektualëve që orbitonin afër tyne, tue zbeh bartësit e nji vetëdije politike të shëndetshme antikoministe. Me kalimin e kohës dhe konsolidimin e tij, rregjimi komunist shqiptar për me justifikue aparatin e vet të terrorit, programonte në mënyrë ciklike armiq mnrenda rradhëve te veta apo ndonji viktimë rastësore te klasat e “përmbysuna”, të cilët mandej i instrumentalizonte dhe “përpunonte” tue i vra realisht dy herë aty ku haste dobësi..Megjithatë, në kushtet e atij terrori të pashoqë, mos të harrojmë se u zhvillue nji disidencë dinamike, e gërshëtueme me teknika të forta mbijetese dhe e mbrujtun me fisnikëri vlerash e qëndrimesh, për të cilin mbas viteve “90 pak vetë e trajtuen dhe rreflektuen mbi ta, tue përqëndrue në kërkimin e antologjive të qëndresave imagjinare epike…


Përkundrazi, me ramjen formale të sistemit monist, me pak përjashtime të rralla “dekorative”, u luftue me demolim metodikë bash kjo rrezistencë dinamike mbijetojse gjatë rregjimit diktatorial, tue josh e përkrah disa “antikomunistë” të përpunuem e të shantazhuem me dosje prej ish aparatit të dhunës e politike të rregjimit monist. Merimanga funksionale e dhunuesve me të dhunuemit, u tregue nji mekanizëm i kolauduem në defaktorizimin e nji personali të ri politik e shoqnor. U lejuen prej shokve të Lames të formoheshin shoqata “të persekutuemish” simbas modelit të shoqatave të veteranëve apo të Enverit, qëllimi i vetëm i të cilave ishte me kërkue letra me “birë” prej ish persekutorëve…

Në cdo lagje a katund të humbun, rreshtimi pa rreflektim në emën të antikomunizmit, edhe me atë që të kishte fut në burg, u ba dogma e re e ardhjes të demokracisë. Në këtë klimë kaotike, të induktueme me art e kopili, armiku nuk ishte ma shoku Qemal e company apo ato që kishin ba krime mizore, por njerëzit me kujtesë, me arsye dhe fisnikëri që kishin mbijetue me dinjitet gjatë sistemit dhe kërkonin me i rrezistue tiranisë të re të çakejve të “kurventuem” të ish rregjimit. Kjo shumicë e heshtun shqiptarësh u defaktorizue tash 30 vjet e kusur prej nji pakicë agresive që ende vazhdon me leçitë abuzivisht ide dhe ideale që nuk janë pjesë e ADN të tyne kulturore e vlerore. E dij mirë që politika asht veprim e pjesëmarrje por kurrsesi nuk mund të vazhdojë të bahet me ata që tash 30 vjet qeverisin dhe kurrë nuk banë as gjestin ma logjik e plotësisht të realizueshëm per me siguru drejtësinë dhe gjykimin legale minimale për kupolën e aparatit të dhunës të ish sistemit komunist. Pikërisht, për këtë arsye, sot paria e Tiranës, ka thirrë Lamen në “foltoren e vet”, dmth, garantin e saj të gjallë, për me shpreh ngallënjimin triumfues ndaj viktimave të pafajshme të komunizmit shqiptar.

Ndoshta, kto 30 vite ishin të nevojshme për me ba “dekantimin” e misterit të së keqes dhe me u hap sytë njerëzve se e keqja nuk luftohet me sllogane apo “antikomunizëm minaresh” të zhurmshëm dhe të telekomanduem prej modelit të shokut Qemal. Ligjet e demek “lustracionit” që janë ba apo tentue me u ba, përballë mungesës të drejtësisë me ndëshku pjesmarrësit e aparatit të dhunës, janë kenë thjesht instrumenta shantazhi për të pabindun potencial ne luftën politike. Gjithsesi, shoku Qemal me shpurën e tij janë të diskretituem prej historisë e pesha e krimeve te tyne do t’i krrysë e mallkojë deri në përjetësi. Njerëzit e lirë, qëndrestar në vlera dhe fisnikëri, janë gjithmonë fitimtar dhe vuejtja deri në martirizim, asht sall kunora e suksesit para Zotit, sikur na ka dëshmue historia e martirëve shqiptar të fesë të Krishtit dhe cdo njiri vullnetmirë.

Me shpresën që shpejt kjo qeveri të japë shpirt e mbytun në detin e skandaleve te veta korruptive, uroj të vij per nji fazë të bollshme tranzitore nji qeveri teknikë e pshtimit të vendit nga kolapsi ekzistencial, tue shmang rrezikun e plotësimit të boshllekut me pritën e gjonturqve të pandreqshëm.

Shkruar nga | Nest ZEFI