Një video e publikuar në llogarinë në Twitter të Gardës Kombëtare të Ukrainës tregon momentin kur një ushtar lyen plumbat me dhjam derri, për të vrarë ushtarët çeçenë që janë dërguar për të luftuar krah rusëve në Ukrainë.
Edhe pse video nuk është verifikuar si autentike, ajo është shpërndarë nga faqja e verifikuar në Twitter e Gardës Kombëtare. Twitter gjithsesi ka vendosur një shënim në video, duke thënë se materiali shkel rregullat e platformës për gjuhën e urrejtjes, por në interes të informacionit publik, video nuk është fshirë.
Në video, ushtari dëgjohet të thotë: “Të dashur vëllezër myslimanë, në vendin tonë nuk do të shkoni në Parajsë. Ju lutem shkoni në shtëpi. Këtu do të hasni në probleme”.
https://pbs.twimg.com/ext_tw_video_thumb/1497924130137595911/pu/img/udZ2oK0b8wyLhlNb.jpg
Sipas informacionit të publikuar në faqen e Gardës Kombëtare të Ukrainës, bëhet fjalë për një ushtar të regjimentit Azov, një pjesë e ushtrisë ukrainase që është akuzuar disa herë nga Rusia për prirje neonaziste.
Kjo llogari ka publikuar disa herë materiale video dhe foto që përpiqen të frymëzojnë, shpesh edhe përmes memeve, ushtarët dhe popullin ukrainas, që ndodhet sot në ditën e pestë të luftimeve, pas nisjes së sulmit rus.