Moti i keq në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Ja zonat që rrezikohen

234

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, ndërsa në orët në vijim, sipas sinoptikanëve pritet shtim i intensitetit të reshjeve të shiut. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha në një deklaratë për mediat nga Korça se nuk ka vend për panik, teksa theksoi se nuk priten përmbytje të mëdha.

Sipas Peleshit problem mbetet zona e Obotit në Shkodër, e goditur shumë herë nga përmbytje të mëdha. Ministri deklaroi se janë marrë masa dhe se strukturat shtetërore janë në gatishmëri.

“Në pjesën juglindore, kemi Vjosën, është lum i egër. Në raste të reshjeve të mëdha rrezikon që të dalë nga shtrati. Kemi nivele me rezervë në kaskadën e Drinit, liqeni i Fierzës ka rezerva mban edhe për disa ditë reshje, nuk do të kemi përmbytje të shtuara.

Në pjesën jugperëndimore, në lumin e Vjosës, mund të kemi dalje në rast se do të jetë i lartë intensiteti i reshjeve. Të gjitha strukturat janë në gatishmëri. Forcat e Armatosura janë gjithnjë si vlerë e shtuar dhe forca më e madhe në përballimin e emergjencave. Nuk presim përmbytje të mëdha, por në veri kemi zona depresive si zona e Obotit që me apo shkarkim liqenesh është zona e parë që rrezikon përmbytjen. Do të ketë reshje dëbore”, tha Peleshi.