Jo gjithçka është “Parti” por në fakt gjithçka është “Politikë-Bërje”

538

Nga: Klaudia Ndreca

“Dëgjova që kishe pirë kafe me një grup të FRESSH-it! Hë… të ofruan ndonjë vend pune?!” Ja kështu më nisi java! Doja t’i ktheja përgjigje menjëherë, por nuk e bëra. Mendova se nuk ja vlente të shpenzoja kohë, por në fakt kjo pyetja më thelloi në mendime e më mori shumë më shumë kohë se sa përgjigjia që mund t’i ktheja atij.
⦁ Por a është vërtetë aq e rëndë situata?
⦁ A shikohet akoma si steriotip një kafe me një bashkëmoshatarë të një subjekti tjetër politik qoftë ai edhe kundërshtari politik?
⦁ A shikohet akoma si një përfitim vetjak koncepti i “bashkëpunimit” ndërmjet të rinjve?

Fatkeqësisht përgjigjia ndodhet në pyetjen me të cilën e nisa javën dhe këtë artikull. Ajo “kafe” në fakt ishte një trajnim dhe një organizim dy-ditor i realizuar nga ëestminster Foundation for Democracy (WFD), i cili si diçka që ndodh rrallë, për të mos thënë asnjëherë, vendosi në një tryezë të përbashkët të rinjtë e tre subjekteve kryesore politike në Lezhë.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti, përveçse njohurive për lidershipin, komunikimin dhe afrësimin tonë, ishte edhe rëndësia e bashkëpunimit për interesa të përbashkëta dhe ngritjen e zërit kur bëhet fjalë për shqetësimet e përbashkëta. Ato duhet që të trajtohen dhe të marrin zgjidhje pavarësisht bindjeve politike që mund të ketë secili prej nesh.

Sëbashku kuptuam se problemet e përbashkëta ishin më shumë se politika që na ndante. Problemet e arsimit, punësimi, mbështetja e të rinjve, nevoja për ambjente sportive e kulturore ishin disa nga diskutimet me të cilat u ndalëm sëbashku në këtë takim të mirëorganizuar nga WFD. Dhamë zgjidhje që janë të mundshme për disa nga shqetësimet tona, sepse kjo është edhe domosdoshmëria e këtyre takimeve.

Ajo që ai e quajti “kafe”, në fakt u realizua për të na rritur vetë-ndërgjegjësimin që të kuptonim se çfarë pozicioni kishim si të rinj dhe roli që mund të luajmë në qytetin tonë të vogël për të zgjidhur disa probleme esenciale. Na bëri të kuptojmë që anëtarët e FRPD-së, FRESSH-it apo të LRI-së, së pari jetojmë së bashku në të njëjtin komunitet ku bashkëndajmë të njëjtat probleme e shqetësime dhe që jemi qytetarë lezhjanë pavarësisht votës që adresojmë.

Kuptuam se jemi të rinj që kemi 1001 problematika të përbashkëta, të cilat nuk na pyesin se nga cili forum jemi. Jemi rinia e cila endet dhe përfundon në rrugë pakthim, rini e nëpërkëmbur nga sistemet që çdo ditë e më shumë po presin mundësinë më të parë që të largohen qyteti ynë, nga vendi ynë. Kjo nuk duhet të ndodhë. Ne duhet të kërkojmë dhe të gjejmë zgjidhje sesi mundet të nxitet punësimi i të rinjve, sesi të kemi më shumë vende takimi ku të krijojmë grupet tona të letërsisë, shkencës, politikës, lidershipit apo ku të flasim për ccdo problematikë të Bashkisë tonë.

Ajo “kafe” në fakt bëri që shumë nga ne të kuptonte që jo gjithçka është “parti”, por në fakt gjithçka është “politikë-bërje”. Në Shqipëri këto shihen si sinonim i njëra tjetrës dhe kjo ka bërë që të jemi këtu ku jemi! Në këto kohë!

Në atë takim, ku isha prezente dhe jam e lumtur që jam përzgjedhur nga WFD, trajtuam dhe nxorëm të gjithë problematikat e të rinjve dhe sugjeruam nevojën e zgjidhjes së tyre. Për ironi të fatit, një ndër problematikat që u trajtua dhe u konsiderua si mjaft e nevojshme ishte një qendër multifunksionale në Lezhë, po e njëjta nevojë që theksoi edhe personi që më përmendi dy ditë më parë se unë të isha në “kafe”. Fjalët që shoku më kishte thënë ishin po ato që secili prej nesh në atë takim, demokrat, socialist apo i lëvizjes, u shpreh.
Po kush do ngrihet të bëjë apel për këtë problem?
Epo këtë duhet t’a bëjmë vetëm ne, pa dallim politike apo pushteti, pa frikën se do gjykohemi sepse po bashkpunojmë me forume të tjera politike. Pasi në fund të fundit, kush më mirë se ne do kërkonte të zgjidhte problemet tona!

Boll më me steriotipe që po na fundosin fatkeqësisht po aq sa sistemi, lë të bëhemi për njeri – tjetrin pse jo, le t’ju japim një mësim të mirë partive që na përfaqësojnë. Përderisa e ardhmja do jetë e jona atëherë bëni hapësirë që kësaj të ardhme të ja vendosim ne gurët e parë të themelit!