Ndeshje e “çmendur”, Tirana mposht Teutën

177

Tirana merr tri pikë me shumë vlerë përballë një rivali direkt dhe në transfertë ndaj Teutës, duke fituar 3-2. Një nga sfidat më të bukura në këto 5 javë të parë. Ishte humbja e parë për Teutën, ndërsa bardheblutë marrin kreun.

Pjesa e parë nisi me gol. Që në minutën e parë. Xhixha tund rrjetën me një aksion të shpejtë të Tiranës që gjen durrsakët të përgjumur. Sulmuesi humb një duel me Qirkon fillimisht, por më pas, kur portieri grushton një gjuajtje të Najdovskit, ai është aty për të shtyrë sferën në rrjetë.

Në 16’ rikthehet barazia në fushë. Pas një goditje dënimi të Kallakut, Ivanoviç me kokë çon sferën në rrjetë. Ndeshje shumë e bukur me shumë raste. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1.

Edhe e dyta nis me gol. Teuta kalon në avantazh në 49’. Këtë herë është një autogol i Najdovskit pas një pasimi në qendër të Akuah. Por barazohet shpejt dueli pas 2 minutash. Këtë herë është Totre, i cili çon sferën në rrjetë në pas një përgjumje të mbrojtjes dhe pasimit të artë të Seferit.

Në 4’ vjen supergoli i Limajt me goditje dënimi, Tirana përsëri në avantazh. Sfidë me të vërtetë e çmendur, me dy përmysje, 5 gola të shënuar, në fund Tirana merr tri pikë të arta dhe kreun e renditjes.