Nga vrasja me armën e shërbimit, tek ikja në Angli, ja kush është ish-polici që u vra në Malësinë e Madhe

222

Një ekzekutim me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Reç të Malësisë së Madhe. Personi që shihni në foto është Sokol Çelaj, 58-vjeçari që mbrëmë iu bë atentat fare pranë shtëpisë.

Ai ishte duke shkuar me gruan me makinë drejt shtëpisë, ku persona ende të pa identifikuar i bënë pritë dhe lëshuan breshëri plumbash mbi mjetin. Çelaj ka ndërruar jetë në spital, si pasojë e plumbave të marra pranë zemrës e sipër brinjëve. Viktima kishte pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri, pasi prej vitesh jetonte në Angli.

Ai ka ardhur në Shqipëri pasi ishte i ftuar në disa dasma. Mbrëmjen e djeshme, para pak atentatit, ai ka vizituar një të afërm. Raportohet se Çelaj ka punuar polic dhe në vitin 1989 ka vrarë një person me armën e shtetit.

Gjykata asokohe e konsideroi vrasjen nga pakujdesia dhe Çelaj ka bërë rreth 6 vite burg, për të shkuar më pas në Angli. Të afërmit e personit që ka vrarë 58-vjeçari jetojnë në Itali. Kjo është një nga pistat që po hetohet deri më tani, por nuk përjashtohen edhe episode të tjera./a.r