25 prilli “i thyer”-Votën e përcakton bilanci i qeverisë dhe jo propaganda analistëve kameleonë

230

Aq ashpër sa e kanë nisur partitë politike në Shqipëri fushatën e radhës për zgjedhjet parlamentare, shpresojmë që ajo që do të ndodhë të mos jetë e ngjashme me zhvillimet në romanin e Kadaresë.
Por disa fakte ia vlen të përmenden tani edhe pse shumë gjëra pritet të ndodhin në ditët e javët që vijnë:


-Kjo është hera e parë në 30 vite pluralizëm që zgjedhjet mbahen në muajin prill (të parat u mbajtën më 31 mars 1991, ndërsa 2 ditë më pas policia e drejtuar nga kryetari i sotëm i parlamentit urdhëroi vrasjen e 4 të rinjve në Shkodër). Qoftë për hajër muaji Prill!
-Kjo është hera e parë që zhvillohet një fushatë e gjërë politike në kushtet e një Pandemie. Megjithatë, çuditërisht qeveria ka vendosur që të sfidojë këtë flamë dhe i fton njerëzit të grumbullohen masivisht në tubime ekektorale.


-Jo vetëm për shkak të Pandemisë por si pasojë e përhapjes dhe përdorimit masiv të rrjeteve sociale, fushata po zhvillohet vrullshëm në Facebook. Kjo është një mënyrë për të përcjellë mesazhet tek votuesit, por nga ana tjetër, fushata në këtë mënyrë mund të jetë dështim. Të publikosh takimet e kryetarit dhe të kandidatëve në Facebook, dmth të jesh në rregull me kryetarin, por një “like” në Facebook nuk është patjetër votë pro. Mbaj mend në fushatën e vitit 2005, një kryetar partie po na thoshte një grupi gazetarësh këto fjalë:”vetëm në celularin tim kam mbi 3 mijë numra telefoni e këto përkthehen në disa mijëra vota “. Pavarësisht entuziazmit të tij, kjo parti mori shumë më pak vota sesa pretendonte.


-Kjo është hera e parë në këto 30 vjet që Berisha, Nano dhe Meta (së bashku), nuk janë në vijën e parë të frontit. Berisha në fakt bën fushatë me Facebook, Nano ka shkuar sërish në Austri në pritje të fitores së PS dhe premtimit për ti zënë vendin Metës dhe ky i fundit, është në pritje të asaj se çfarë do të ndodhë më 25 prill.


-Këto janë zgjedhjet e para në fakt qysh pas krijimit të LSI 17 vjet më parë, që lufta politike mes dy partive të majta PS-LSI është më e ashpër se asnjëherë tjetër. Të dy partitë janë të bindura tani se për një kohë të caktuar nuk mund të bëjnë koalicion bashkë, ndaj po mundohen ta dëmtojnë sa më shumë që munden njëra tjetrën në mënyrë që fituesja, (PD), të mos ftojë rivalët për në qeveri.
-Nëse PS fiton zgjedhjet, kjo do të ishte hera e parë në këto 3 dekada që një parti të marrë 3 herë rresht mbështetje popullore për të qeverisur. Megjithatë kjo ishte sa për statistikën e “herës së parë”, pasi edhe vetë në PS e kuptojnë se nuk mban më ujë pilafi.

Pavarësisht këtyre fakteve dhe opinionit tim në rreshtat e fundit të këtij postimi, do të dëshiroja që qytetarët të mendojnë mirë përpara se të votojnë.
Për këtë do të ishte mirë që të mos ndikohen se çfarë këshillash u japin përnatë analistët që në këto 20-30 vjet kanë lëpirë çdo politikan majtas e djathtas.


Të shohin xhepat dhe ekonominë e tyre. Të vlerësojnë nëse Shqipëria është bërë apo jo një vend më i mirë dhe i sigurtë për jetuar ( për të gjithë e jo vetëm ata të lidhur me pushtetin). Nëse bilanci del pozitiv, mbani këtë qeveri. Nëse iu del bilanc negativ, ndryshojeni me votë.

Nga Arben VATA