Njishi nuk është më Edi Rama, por Tom Doshi!

244

Nga Denis Dyrnjaja

Rastësi apo jo, ndonjëherë supersticioziteti përkon me realitetin. Në shortin e hedhur në KQZ për renditjen e subjekteve në listën e votimit, PSD së Tom Doshit i ra numëri 1.

Në llogaritë minimaliste elektorale gjasat janë se Toma i regjistruar tashmë si kandidat dhe si numëri 1 i partisë së tij të dalë deputet në 25 Prill dhe mandati i tij mund të jetë çelësi për t’i mbyllur ose hapur derën mandatit të katërt të Edi Ramës në krye të qeverisë.

Tom Doshi thuhet se ka një popullaritet absolut jo vetëm në Shkodër, bastioni i tij klasik, por edhe në Tiranë e disa qytete të tjera. PS doli me sloganin “Ti nuk je vetëm” por ai që realisht e aplikon këtë filozofi e slogan në realitet dhe prej vitesh është Tom Doshi. Pa u ndjerë dhe pa shumë bujë e fjalë ai u është gjendur pranë mijëra hallexhinjve pa interes për t’iu zgjidhur probleme burokratike me shtetin dhe halle familjare e personale të shëndetit e gjithfarësh.

Ndaj më 25 prill nuk po iu kërkon vota Toma njerëzve, por do kërkojnë ata t’i kthejnë mirënjohjen mbrapsht atij. KQZ i njohu të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje edhe pse pati disa qëndrime të Ambasadës Amerikane ndaj kandidimit të tij. E për to Tomës i duhet të japë një sqarim publik për gjithçka thuhet e adresohet ndaj tij si person i angazhuar në politikë. Por përtej kësaj ekspozimi i emrit të vetëm sa po i rrit kuotat e PSD dhe sulmet po shndërrohen në avantazh elektoral duke e kthyer Tomën në protagonist publik me vëmendjen që dhe vetë ai duket që se ka shumë për qejf.

Tom Doshi përfshihet në atë kategori politikanësh që flasin pak e veprojnë shumë, ndaj përgojimi edhe pse shpesh negativ vetëm po i rrit kuotat e tij personale dhe partisë që drejton. Ndërkohë sondazhet nuk po tregojnë ndonjë thellësi të madhe elektorale të fituesit. PS duket se është forcë e parë, por a do mund të arrijë 70 mandate? Historia e vitit 2009 me 4 mandatet e LSI, që iu deshën Berishës për të krijuar mazhorancën e mandatit të dytë, mund të përsëritet edhe tani në vitin 2021. Një barazim 70 me 70 pas 25 Prillit, mund ta bëjë mandatin e Tom Doshit të ketë peshën e një qeverie 4 vjeçare ndaj në këtë rast nr 1 nuk është më Rama, por Doshi. Kjo hipotezë merr akoma dhe më shumë peshë nëse PSD do të marrë më shumë se një mandat dhe pastaj Ramës i duhet të zgjedhë t’i shtrijë dorën kreut të PSD-së, apo t’i hipë autobusit për në opozitë?! Gjasat janë që të ndodhë e para, pra mandati i tretë do të kalojë nga qëndrimi dhe pozicionimi politik i PSD. A do të tregohet Tom Doshi aq bujar edhe me Ramën sa me njerëzit e panjohur?! Kjo mbetet për t’u parë pas 25 Prillit. Tani për tani e sigurt është se Toma është 1-shi!/dritare.net

Tom DOSHI