Elona, në muajin e 9 të shtatzënisë, e vetmja grua që qep rrjetat e peshkimit

266

Mes dhjetëra burrash, në portin e vjetër të anijeve të peshkimit, në Vlorë, është edhe një grua. Elona, edhe pse tashmë jo aq e shkathët fizikisht, për shkak të shtatzënisë, vazhdon të shkojë përditë në Triport, për të riparuar rrjetat. Edhe pse në moshë fare të re, kanë kaluar 18 vite që nga dita e parë e punës.

Ishte vetëm 15 vjeç atëherë! “Sapo kisha përfunduar klasën e 8-të, por babai nuk më la të shkoja në shkollë të mesme. Kishte marrë vesh se ishte hapur një kurs peshkimi dhe donte të më regjistronte atje”. Lotët e Elonës nuk bënë fare punë për t’i ndryshuar mendjen, ama sot ajo nuk do të kishte zgjedhur asgjë tjetër.

Është gjithë kohën e qeshur dhe energjike, edhe në këto ditë të vështira dimri. “Do të punoj deri dy ditë përpara operacionit. E kam lënë ditën e lindjes brenda pak ditësh, kështu që kam edhe pak kohë”. Elona ka një vend të sajin në Triport, por del edhe nëpër anije për të parë nëse kanë ndonjë problem të vogël.

Ka qenë gjithë jetën e rrethuar nga peshkatarë. Në një mënyrë, fati i saj ishte i parashkruar. Me shtëpinë vetëm ca hapa larg detit, me babain, xhaxhain, të shoqin e vjehrrin peshkatar, nuk mund veçse të bënte një punë për t’ju ardhur në ndihmë! “Pasi përfundova kursin, erdha në port dhe bëra praktikë me dy gra që punonin përpara meje. Tani kanë dalë të dyja në pension dhe kam ngelur vetëm unë që bëj riparimin e rrjetave”.

Elona Isai shpreson vetëm që gjatë ditëve që nuk do të jetë në gjendje të punojë, të mos ndodhë gjë me rrjetat e peshkatarëve sepse ajo është shpresa e tyre e vetme.

Përgatiti Ani Jaupaj