E vetme, por e pabraktisur, Drita i shpëton mbrëmjeve të ftohta pas katër netësh

88

Për thuajse 4 ditë e moshuara Drita Xhafa ka fjetur jashtë banesës, me të vetmet ndihma nga fqinjët e saj, që herë pas herë e merrnin në makinën apo në shtëpitë e tyre sa për të mos e lënë në të ftohtin e këtyre mbrëmjeve

Katër netë, e vetëm me zërat e të bijave që dëgjohen orë pas ore nga një celular, ajo mori një vendim. Të kërkonte ndihmë. Ta strehonin diku.

Fqinjët e saj lajmëruan, se në fundin e një rrugice të Tiranës, një nënë ka mbetur vetëm, jashtë dhe e pafuqishme për të kërkuar ndihmë në një kohë kur dëgjon se situata është edhe më e rëndë në qytetet që rrethojnë Tiranën. Por, kur A2 mbërrin në banesën e saj, ajo hap derën dhe guxon të hyjë aty ku i kanë thënë të mos shkojë. 

Shtëpia e saj është e pabanueshme, por e ka të vështirë ta braktisë. Megjithatë ajo tregon historinë e saj për A2 dhe brenda dy orësh, i thonë se do të vijnë ta marrin. I duhet të durojë edhe një natë jashtë. 

Është mëngjesi i së dielës dhe ajo është gati. Nuk ka shumë gjëra për të shpëtuar. E rëndësishme është kutia e ilaçeve dhe disa kursime të jetës. Ajo ka njoftuar sërish A2, jo vetëm për të falënderuar që i dha zë shqetësimit të saj, por edhe sepse shpreson se nëse ne do të jemi aty, bashkia do të dërgojë dikë më shpejt për ta marrë. 

Makina e Bashkisë mbërrin pak pas mesditës. Drita Xhafa nuk e di kur do të kthehet në banesën e saj, di vetëm që atë nuk do ta braktisë kurrë edhe pse tashmë është më ngrohtë në qendrën sociale të Tiranës.