Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur aktorit të njohur Arnold Schwarzenegger ndërsa po merrte pjesë në një aktivitet sportiv në nder të tij, në një palestër në Sandton të Afrikës së Jugut.
Ndërsa po bënte një video-selfie për të treguar aftësitë e atletëve, një person u shkëput nga spektatorët dhe e goditi me shkelm yllin e ”Terminator” në kurriz. Ish guvernatori Schwarzenegger përfundoi në tokë dhe u ngrit nga rojet e sigurisë, të cilët e rrethuan menjëherë.
Autori i sulmit ndaj Schwarzenegger u neutralizua dhe ende nuk dihen motivet se përse e kreu atë veprim.
Përmes një postimi në “Twitter”, Schwarzenegger siguroi të gjithë adhuruesit se është mirë dhe se nuk kishte asnjë dëmtim.