Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme Chrystia Freeland përmes një njoftimi në Facebook bën me dije se bashkë me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Ottawa Ermal Muça kanë firmosur marrëveshjen e sigurimeve shoqërore. Kjo marrëveshje do të mundësojë për shqiptarët që jetojnë në Kanada njohjen e viteve të punës në Shqipëri gjë që do të ndikojë në përllogaritjen e masës së pensionit.
Kjo është një arritje e madhe për diplomacinë shqiptare sepse është e para marrëveshje që nënshkruhet mes dy vendeve gjatë 30 viteve të marrëdhënieve diplomatike. Gjithashtu vlen t’i atribuohet merita edhe ambasadorit Muça i cili në dy vitet e mandatit të tij në Kanada ka arritur të realizojë takime funksionale në dobi të komunitetit shqiptaro-kanadez.
Siç na bën me dije zyra e Ambasadës shqiptare në Ottawa, krahas marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes dy vendeve është nënshkruar edhe Rregullorja administrative ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje të rëndësishme për shqiptaro-kanadezët ka reaguar me një status në rrjetet sociale edhe deputetja liberale Julie Dabrusin, e cila ka qenë politikania që ka lobuar fuqishëm për arritjen e kësaj dite.
Sipas Dabrusin, kjo marrëveshje do të mundësojë koordinimin e përfitimeve nga kontributet shoqërore për qytetarët që kanë jetuar ose punuar në të dy vendet.
Duke u njohur kontributi i punës në të dy vendet, do t’i ndihmojë të kualifikohen për përfitime sipas kategorive që u përkasin në sistemin e pensioneve të secilit vend. Do të thotë se puna e tyre do të njihet, vlerësohet dhe respektohet.
Sipas deputetes Julie Dabrusin e njohur për mbështetjen e saj ndaj komunitetit shqiptar, kjo marrëveshje do të bëjë të mundur inkurajimin e mobilitetit të punonjësve dhe nxitjen e rritjes së tregtisë dhe investimeve midis Shqipërisë e Kanadasë duke ulur kostot operative për kompanitë aktive në territorin e dy vendeve.
Informacioni mbi këtë temë do të përditësohet sapo Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, njëherësh dhe Ambasada jonë në Kanada të shprehen zyrtarisht mbi këtë marrëveshje.