Papa bën historinë dhe bashkon myslimanët dhe katolikët

491

Mesha e mbajtur nga Papa Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe, bëri bashkë katolikë dhe myslimanë.

Rreth 135 mijë persona u mblodhën për të dëgjuar fjalën e Atit të Shenjtë, i cili është drejtuesi i parë i kishës katolike që viziton Gadishullin Arab. Mesha e mbajtur në stadiumin Zajed në Abu Dabi, pati për qëllim promovimin e dialogut ndërfetar. Mijëra besimtarë përshëndetën Papën me flamuj të Vatikanit në duar, ndërsa ai hyri në stadium me një makinë të bardhë të hapur lart.

“Në emër të atit, birit dhe shpirtit të shenjtë, paqja qoftë me ju. Vëllezër dhe motra le të pranojmë mëkatet tona dhe të përgatitemi në celebrimin e mistereve të shenjta”, tha Papa.

Katolikët besojnë se Papa është i deleguar i Krishtit në tokë, pra pjesëmarrja në një Meshë Papnore është shumë e veçantë.

“Është një veprim i mrekullueshëm për këtë vit tolerance. Tregon sa të mrekullueshëm dhe të hapur janë”, u shpreh një besimtar.

Pas meshës, Papa u rikthye në Vatikan. Ati i shenjtë arriti në Abu Dabi të dielën me ftesë të princit të kurorës, Mohamed bin Zajed. Gjatë vizitës, dënoi luftërat rajonale, përfshirë atë në Jemen, vendi më I varfër i gadishullit, ku Emiratet Bashkuara janë të përfshira në koalicionin e drejtuar nga Sauditët. Papa gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim mes Katolikëve dhe Myslimanëve.