“Europa ka disa faje për të shlyer në Afrikë, një histori e gjatë kolonializmi. Për këtë arsye, emergjenca e refugjatëve mund të gjejë zgjidhje vetëm në një mënyrë: me një plan Marshall që të bëjë të përshtatshme jetesën atje, përndryshe deti Mesdhe nuk do të jetë mjaftueshëm i madh për t’u kthyer në varrezë”.
Ky është propozimi i një prej ish-presidentëve më të dashur, Pepe Mujica, i cili e ka drejtuar Uruguain në vitet 2010-2015.
Ai ka qenë sot në Venecia, ku regjisori Emir Kusturica ka prezantuar filmin dedikuar jetës së tij, “El Pepe, një jetë mbi të tjerat”. Por pavarësisht kësaj, Pepe Mujica nuk ndihet aspak yll kinemaje.
Ai nuk e ka pranuar kërkesën e fotoreporterëve për t’u fotografuar në këndin e posaçëm, pavarësisht këmbënguljes së Kusturicës.
Mujica, 83 vjeç, njihet ndryshe si presidenti më i varfër i botës. Gjatë kohës që drejtonte Uruguain, ai mbahet mend për gatishmërinë për t’u hapur të pastrehëve gjatë dimrit rezidencën e tij zyrtare.
Mujica mbante për vete vetëm 10% të pagës si president, ndërsa pjesën tjetër e dhuronte për organizatat në ndihmë të të varfërve. Edhe gjatë mandatit, ai jetoi në fermën e tij modeste në periferi të qytetit, së bashku me të shoqen.
Si ish-luftëtar që ka kaluar 14 vjet në burg gjatë diktaturës, ai thotë se shumica e njerëzve kanë rënë në grackën e shoqërisë së konsumit dhe kanë humbur aftësinë për të shijuar kohën në të cilën jetojnë.(TemA TV)