Si u gjetën me këmbë dhe duar jashtë varrit dy vëllezërit nga Devolli?

559

Varret e fshatit Trestenik të Devollit ndodheshin afër rrugës që të çonte në Llabanicë tek burimi i Dromit anës lumit. Aty hapën me nxitim një gropë dhe hodhën brenda trupin e tij. I hodhën disa lopata balte sipër dhe ikën. Një këmbë, një dorë dhe një pjesë e shallit jeshil i mbetën jashtë.

Duhet të ketë qenë mesnatë. Viti 1950. Në mëngjes, kur banorët e Trestenikut dolën për të shkuar në punë, gjetën buzë lumit, gjysëm të varrosur, trupin e një njeriu. Fillimisht ndaleshin të trembur nga ajo që shihnin

Ata bënë sikur e varrosën. Varret e fshatit Trestenik të Devollit ndodheshin afër rrugës që të çonte në Llabanicë tek burimi i Dromit anës lumit. Aty hapën me nxitim një gropë dhe hodhën brenda trupin e tij.

I hodhën disa lopata balte sipër dhe ikën. Një këmbë, një dorë dhe një pjesë e shallit jeshil i mbetën jashtë. Duhet të ketë qenë mesnatë. Viti 1950. Në mëngjes, kur banorët e Trestenikut dolën për të shkuar në punë, gjetën buzë lumit, gjysëm të varrosur, trupin e një njeriu.

Fillimisht ndaleshin të trembur nga ajo që shihnin. Këmba dhe dora të mbetura jashtë varrit ishin të frikshme. Por befas kuptonin çfarë kishte ndodhur. Të gjithë e njihnin shallin jeshil të Haxhi Barollit. Atë shall ai e kishte sjellë nga Australia . Për vite të tëra kishte qenë emigrant atje që nga vitet 1920. Në vendlindje e kishte kthyer malli për familjen.

Mbrëmjeve, kur mblidheshin të klubi i fshatit, ai u tregonte bashkëfshatarëve për Australinë. Shpresonte që edhe Shqipëria të bëhej ashtu. Që bota atje larg, kishte qenë ndryshe e kuptonin të gjithë. Që andej, Haxhi Barolli ishte kthyer i pasur aq sa gjithë familja mund ta kalonte jetën pa ndonjë vështirësi.

Por erdhi një ditë kur ai e kuptoi që nuk duhej të fliste shumë për Australinë. Njerëzit e qeverisë thoshin çdo ditë se kapitalizmi i vdiste njerëzit për bukë. Ai nuk mund të thoshte më të kundërtën e asaj që thuhej nga qeveria. Shpesh kishte pikasur se e përgjonin. Njerëzit e sigurimit gjendeshin gjithnjë prapa hapave të tij.

I heshtur si guri

Haxhi Barolli u bë i heshtur si guri, por përsëri survejohej njëlloj ashtu si edhe më parë. Njerëzit e sigurimit nuk po ndaleshin. Për ta pak rëndësi kishte fliste apo nuk fliste ai. Të qenit mirë ekonomikisht ishte një dëshmi e keqe për fshatin Trestenik që mezi siguronte bukën.

Barolli kishte filluar të mendonte se edhe mund ta burgosnin, por nuk e kishte besuar kurrë se mund ta vrisnin duke e parë drejt e në sy. Plani për vrasjen kishte kohë që ishte bërë gati. Pritej vetëm rasti i volitshëm për ekzekutimin e tij.

Këshilli Popullor i fshatit (kështu quhej atëherë, “popullor”), caktonte grupe fshatarësh prej tre-katër vetash të prisnin dru në pyll për Postën e kufirit. Në një nga këto ditë, në grupin e Bariq dhe Haxhi Merollit caktuan edhe Haxhi Barollin. U nisën herët në mëngjes.

Pas një farë kohe hynë në “Korijet e Tëllogut” në kufi me Greqinë. Që nga çasti, kur i thanë se do të shkonin për të prerë dru në kufi me Greqinë, pati ndjesinë se punët nuk ishin mirë, por e ngushëlloi veten duke menduar se do të ishte i kujdesshëm në çdo hap që do të hidhte.

Nuk do t’u linte shkas që ta arrestonin. Shpresonte se inskenimet e tyre do t’i nxirrte jashtë loje. Megjithatë, nuk ishte çudi që të kishte edhe fatin e të vëllait, Selmanit.

Fati i Selmanit

Për vëllanë e tij, Selmanin, plani i vrasjes u thur me urgjencë. U shfrytëzua një ndodhi e papritur. Dy fëmijë të vegjël të fshatit, të moshës 10 vjeç, prenë linjën e telefonit të Postës kufitare. Me telin e telefonit donin të bënin zinxhirka për biçakët e xhepit. Nuk e kishin idenë çfarë kishin bërë.

Alarmi për prerjen e telefonit u dha që në çastin e parë. Njerëzit e sigurimit mbërritën në fshat pa vonesë. Nuk mbeti njeri pa u pyetur. Autorët duheshin gjetur me çdo kusht. Sipas njerëzve të sigurimit, në fshat duhej të kishte patjetër grupe armiqësore. Ankthi ishte i madh. Dikush edhe mund të arrestohej. Shumë shpejt u zbulua se linja ishte prerë nga dy fëmijë të vegjël. Fshati mori frymë i lehtësuar.

Të paktën nuk do të kishte arrestime, por njerëzit e sigurimit nuk mendonin kështu. Ata nuk mund të lejonin t’u ikte nga dora një ras i tillë. Mësuan dy fëmijët që të thoshin se për prerjen e linjës telefonike të postës kufitare i kishte mësuar xha Selmani dhe ata thanë se i kishte mësuar xha Selmani.

Që gjithçka të dukej e vërtetë, u sajua edhe një dëshmitar. Ai tha: “Gërshërët me të cilat ishte prerë linja telefonike ishin të Selman Barollit. Kaq mjaftonte. Lajmi i frikshëm përfshiu gjithë fshatin. Xha Selmanin do ta pushkatonin që atë ditë. Kriminelit nuk do t’i lihej asnjë ditë jetë më shumë.

Njerëzit nisën të përgjonin çfarë do të ndodhte. A ishin të vërteta vallë të gjitha ato që thuheshin për vrasjen e xha Selmanit?! Askush nuk dintë të thoshte ndonjë gjë të sigurtë.

I luteshin Zotit që njerëzve të qeverisë t’u kthehej mendja e të mos e merrnin më qafë xha Selmanin. Ishte viti 1949.

Përgatitja për ekzekutim

Përgatitja për ekzekutim ishte një tmerr i vërtetë. Xha Selmanin e morën në shtëpi dhe e çuan te sheshi pranë dyqanit të xha Rakipit. U ndalën te plepi pranë xhamisë. Dikush mendoi se do ta varnin. Njerëzit shihnin nga dritaret.

Askush nuk guxonte të dilte jashtë. Atë ditë, për cilindo që kishin patur dyshime, mund të merrnin nga rruga dhe ta ekzekutonin pa asnjë mëdyshje, duke e shpallur si bashkëpunëtor të Selman Barollit.

Befas u dha urdhër: të gjithë njerëzit e fshatit të silleshin me dhunë te sheshi i dyqanit; çdokush duhej të shihte si vdiste një kriminel që nuk e donte pushtetin popullor. Mundën të sillnin vetëm pak njerëz dhe fëmijët e shkollës.

Askush nuk vështronte nga xha Selmani. Nuk dëshironin ta shihnin vdekjen e tij. Do të përpiqeshin ta kujtonin gjithnjë gjallë. Befas u dëgjua një breshëri automatiku. Jeta e xha Selmanit ishte ndalur. Plepi dhe xhamia aty pranë qëndronin të heshtura. Fëmijët u pushtuan nga tmerri.

Për netë të tëra ëndrra të frikshme hynë në gjumin e tyre. E heshtur ishte edhe turma e njerëzve që kishin sjellë aty. Veçanërisht, e paharruar mbeti ajo ditë për Haxhi Barollin, vëllanë e Selmanit, që tashmë e kishin dërguar në “Korijet e Tëllogut” të priste dru për Postën e kufirit.

Përse e kishin çuar vallë deri atje? A do t’i shpëtonte dot ekzekutimit Haxhi Barolli. Ndoshta për djemtë e Ibrahim Barollit jeta kishte rezervuar të njëjtin fat.

Në pyll

Haxhi Barolli, vëllai i Selman Barollit, që u pushkatua pa gjyq në mes të fshatit Trestenik, ishte shpallur i padëshirueshëm. Haxhiu ishte rrezik për komunistët.

Ai dinte më shumë nga ç’duhej të dinte një njeri që jetonte në Shqipërinë e asaj kohe. Kishte influencë në fshat dhe i dëgjohej fjala sepse ishte burrë i urtë. Në bisedat me bashkëfshatarët hidhte dritë mbi jetën që bënte bota.

Ishe dekonspirim për terrin informativ që përpiqej të mbante në errësirë mendjet e njerëzve. Ndërsa ishte duke prerë dru në pyll, vuri re se pranë tij ishte afruar komandanti i pikës së kufirit dhe një ushtar nga peqini. Me ushtarët njiheshin sepse ata zbrisnin çdo ditë në Trestenik.

La punën dhe vështroi nga ata për të kuptuar çfarë po ndodhte. “Je i arrestuar për tentativë arratisje”,- i thane. Haxhi Barolli nuk po u besonte veshëve. Kur paskësh tentuar ai të aratisej? A nuk e gjetën duke prerë dru në pyll? A nuk ishte përsëri aty, në atë vend që e lanë në mëngjes? Nuk pati kohë të mendonte më shumë. I vunë prangat.

Pastaj iu dha urdhër i prerë ushtarit që ndodhej aty: “Vrije!” Që të ndodhej kaq pranë vdekjes, në një mënyrë kaq të pabesueshme, nuk po e besonte dot. Oficeri ulërinte: “Vrije!” Ushtari nuk po e zbatonte urdhërin. Madje nuk kishte ndërmend t’i bindej eprorit. “Vrije!” – vazhdonte të ulërinte ai.

Ekzekutimi

Sigurisht urdhëri kishte ardhur nga lart, duhej të zbatohej medoemos. Haxhi Barolli duhej të vdiste në pyll, sipas planit, në tentatvivë arratisje. Oficeri i Postës kufitare, i rrëmbeu automatikun nga duart ushtarit dhe zbrazi gjithë fishekët mbi trupin e Haxhiut.

Haxhi Llëçi, kryetar i komitetit ekzekutiv i qytetit Bilisht, i hoqi viktimës orën nga dora. Edhe orën e kishte sjellë nga Australia . Trupin e pajetë të tij e sollën në mes të fshatit. E lanë atje ku i kishin vrarë vëllanë, te sheshi i dyqanit, pranë plepit dhe xhamisë dhe ikën.

Gjithë natën ra një shi i rrëmbyer. Ndoshta pasmesnate erdhen dhe e morën për ta varrosur diku buzë lumit. Aty hapën me nxitim një gropë dhe hodhën brenda trupin e tij. I hodhën disa lopata balte sipër dhe ikën.

Një këmbë, një dorë dhe një pjesë e shallit jeshil që e kishte sjellë nga Australia mbetën jashtë. I lanë enkas ashtu për t’u treguar të gjithëve se Haxhi Barolli dhe Australia e tij kishin vdekur përfundimisht.

Por edhe me kaq nuk ishin të kënaqur. Kryetari i Këshillit Popullor, Hamdi Shpuza dhe njerëzit e sigurimit: Shahini, Qenani etj, i detyronin njerëzit të shkelnin mbi kufomën, por askush nuk bindej. Për banorët e Trestenikut, djemtë e Ibrahim Barollit ishin të gjallë.

Disa ditë më pas familja e tij u internua. Mungonte vetëm Ramiu, djali i madh i Haxhiut. Ishte arratisur. Më pas kaloi kufirin dhe djali tjetër, Nezhdeti.

Fatin e djemve të Ibrahimit e pati edheMurat Barolli me të vëllanë, Veli Ballolli, etj. Familjet e tyre u internuan, kurse bijt e ose u arratisën ose përfunduan burgjeve.