Mot i acartë, janë 59 viktima në Europë

554
Moti i ftohtë i shoqëruar me stuhi dëbore dhe acarr ka zaptuar edhe këtë natë një pjesë të madhe të Europës, ndërsa i ftohti siberian vazhdon të krijojë kaos duke penguar rutinën e përditshme të qytetarëve nga shtetet më të prekura.
Stuhitë e dëborës dhe reshjet e dendura të saj kanë mbyllur rrugë, rrjete hekurudhore e shkolla dhe kanë detyruar anulimin e qindra fluturimeve. I ftohti i pazakontë për këtë pjesë të vitit është shtyrë deri në jug duke prekur dhe Mesdheun.

 
Bilanci i vdekjeve në Europë ka mbërritur në 59 viktima; 23 prej të cilëve u shënuan në Poloni, pjesa dërrmuese persona të pastrehë. Situata e krijuar e shtyu Organizatën Botërore të Shëndetësisë të dalë me paralajmërimin se të varfërit, të pastrehët dhe emigrantët janë personat më të rrezikuar nga ngricat.
Në deklaratën e saj thuhet gjithashtu se kujdes duhet treguar edhe për të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Dëbora dhe erërat e forta detyruan mbylljen e Aeroportit të Gjenevës të enjten, por ai u rihap sërish pas pastrimit të pistës.
Në Francë, rreth 2000 drejtues automjetesh mbeten të bllokuar në një rrugë pranë Montpellier, ku disa thonë se kanë mbetur aty pa lëvizur dot për gati 24 orë.
Aeroporti i Schiphol në Amsterdam u prek gjithashtu nga stuhia duke anuluar, apo shtyrë me dhjetëra fluturime. Probleme patën edhe shërbimet e Eurostarit ndërmjet Londrës, Parisit e Brukselit.
Ndërsa situata vazhdon të jetë e rëndë edhe në Itali, sidomos në zonën e Alpeve.